Në Shkup po mbahet protesta nën moton “Çlirimtarët duhet të nderohen e jo të gjykohen”.
Protesta e pestë, pas Prishtinës, Hagës, Tiranës e Strasburgut ka mbledhur qytetarë të shumtë në sheshin “Skënderbeu”, të kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut.
“Nuk jemi për të mohuar drejtësinë por për ta kërkuar drejtësinë. Ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë. Historia nuk guxon të shpërndërohet. Ne kërkojmë që gjykimi të jetë i ndershëm, transparent. Të mos ketë standarte të dyfishta që kriminelët të jenë të lirë e çlirimtarët të mbahen në qeli. Sot themi se UÇK është zemra e kombit, nderi ynë, krenaria ynë. Lufta jonë ka qenë e drejtë, komandantët tanë meritojnë drejtësi”, ka thënë veterani i luftës, Berat Hajdari.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati bëri thirrje për drejtësi.
“Sot jemi mbledhur t’i tregojmë ambasadave të huaja që gjendën në Maqedonin e Veriut se UÇK nuk ka qenë ushtri kriminale. Ne sot jemi këtu për ta ngritur zërin si në çdo protestë. UÇK buron nga populli. Ne sot kërkojmë drejtësi, jo drejtësi politike. Ajo gjykatë i ngjanë gjykatave të ish-jugosllavisë. Kjo gjykatë merret me fakte te fabrikuara. Unë isha vetë dëshmitar. Evropës i bëjmë thirrje për drejtësi të drejtë. Ne nuk kërkojmë lëmoshë por drejtësi. Rroftë UÇK”, ka deklaruar ai.
Të pranishëm janë ish-ushtarë të UÇK-së e ish-komandatë.
Pjesëmarrës është Daut Haradinaj, komandant “Davidi”, Fatmir Limaj, komandant “Çeliku” e të tjerë.
Fjalë para masës së madhe të qytetarëve mbajti edhe Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim.
“Jemi mbeldhur këtu afër Hasan Prishtinës, Pjetër Bogdanit, Nexhat Agollit, për të treguar se Hasan Prishtina u vra, pikërisht për lirinë e kombit të vetë, Pjetër Bogdani i dha dije e filozofi Evropës. Nexhat Agollin, e pushkatoi regjimi vetëm pse kërkoi liri për popullin e tij. Tani sot ne nuk themi që Evropa na kishte borxh, por themi Evropë, Amerikë, NATO faleminderit që folizofinë e veprimtarinë të njerëzve më të mëdhenjë të kombit tonë na e shpërblyet në përkrahje të UÇK-se dhe në ndalje të gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës… Vëllezër dhe motra, nga ky shesh po i drejtohemi edhe Evropës”, u shpreh ai.
Ai shtoi se UÇK, luftoi për popullin e vetë.
“Me të dalë njësitet e para të rezistencës, doli qëndrimet nga më njerëzoret të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Se ushtria do të respektojë të gjitha konventat ndërkombëtare. Respektoi vendimin se një ushtri guerile duhet të dallohet dhe vendosi simbolin e vet që e dallonte se kush është UÇK, rregull ndërkombëtar i respektuar nga UÇK. Ata dënonin çdo veprim fashist, çdo veprim kundër popullatës civile”, tha ai.
Tha se këto akuza nuk qëndrojnë e janë të bëra nga Beogradi e Moska.
“Akuzat që bëhen për shtëpinë e verdhë, akuza që bëhen për ndërmarrje të përbashkët kriminale, njollosin historinë e luftës së UÇK-së. Ky proces duhet të marrë epilog të pafajësisë sepse Hashim Thaçi, Kadei Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi dhe ushtarë që ndodhen prapa grilave akuzohen për vepra të pabëra”, shtoi Ahmeti.





