12 mars 2015 – Opozita ka mbledhur në sheshin “Skëndërbej” në kryeqytet simpatizantët e saj për të kërkuar dorëheqjen e kryeparlamentarit Ilir Meta, si dhe për të protestuar kundër qeverisë.
Protesta e PD-së ashtu siç ishte parashikuar nisi në orën 11:00 në kryeqytet, ndërkohë që organizatorët nisën që në orët e para të mëngjesit mbledhjen e qytetarëve. Ashtu siç ishte paralajmëruar autobusët për të mbledhur simpatizantët e PD-së, u nisën nga i gjithë vendi.
Për protestën e PD-së, qytetarët janë nisur nga Durrësi, Shkodra, Korça, Vlora, Fieri, Berati, Kukësi dhe Lushnja, ndërkohë që është mësuar se për të marrë pjesë në këtë protestë ata janë paguar edhe me nga 1000 lekë, veç transportit falas.
Që në orët e para të mëngjesit, Policia e Shtetit nisi forcimin e masave të sigurisë përreth Parlamentit, pasi sot ishte edhe seanca plenare, ndërkohë që efektivët e FNSH-së kanë rrethuar godinën.
Lulzim Basha: Dëgjoni thirrjen e shqiptarëve të bashkuar. Meta e Rama ik!
Kryetari i PD-se Lulzim Basha e nisi fjalimin e tij në podiumin para kryeministrise me fjalët: “Dëgjoni thirrjen e shqiptarëve të bashkuar. Meta e Rama ik.”
Pasi edhe protestuesit filluan të thërrisnin të gjithë në kor “Rama e Meta ik. O sot o kurrë”, lideri i Opozitës filloi fjalimin e tij:
“Shqiptarët kanë nevojë për një ofertë të re dhe ju jap fjalën se Shqipëria do të ketë ofertën e re. Nuk ndalemi derisa të ketë ligj e drejtësi, dhe më të mirët e bijve tonë të marrin më të mirën, vendin. Nuk ndalemi derisa të shporrim të keqen dhe Ilir Meta e Edi Rama të largohen. Dëgjoni thirrjen e shqiptarëve të bashkuar. Meta e Rama ik. Rama-Meta-Tahiri një sekt mafioz. I kërkojmë Edi Ramës të ndalë trysninë brutale ndaj organit të akuzës. Ta çojë ministrin e Brendshëm për ndjekje penale për mbajtjen të fshehtë të denoncimit të paprecedentë. Huligarkë pa din e imam.
I themi shkelësve të ligjit dhe të akuzuarve për vrasje, si do ta kenë emrin Ilir, Edi, Emiljano apo hakmarrje për drejtësi, se jemi shumica e patrembur e shqiptarëve. Jemi këtu përballë derisa të çlirojmë vendin nga krimi dhe drejtësia të bëhet. Është koha për një zgjim të vrullshëm. Jemi jo vetëm për ta ndalur por për ta larguar. Shqiptarët kanë nevojë për një ofertë të re dhe ju jap fjalën se Shqipëria do të ketë ofertën e re. Nuk ndalemi derisa të ketë ligj e drejtësi, dhe më të mirët e bijve tonë të marrin më të mirën vendin. Nuk ndalemi derisa të shporrim të keqen dhe Ilir Meta e Edi Rama të largohen.
Ky është bashkimi i parë që tregon se qeveria Rama-Meta është rrëzuar moralisht. Ilir Meta dëgjo zërin e qytetarëve, jep dorëheqjen. Edi Rama mos bëj hesape me krimin, bandat e Ilir Metës.”





