Prej ditësh ka nisur puna për veshjen e strukturës metalike të Velës. Projekti “Veliera”, që i kushtoi taksapaguesve rreth 9 milionë euro, ka hyrë në fazën finale të tij.

Mbulimi i strukturës metalike me pllaka është faza më e vështirë e projektit.

Materialet mbërritën në fillim të muajit maj, ndërkohë që nëse gjithçka ecën sipas parashikimeve, punimet duhet të përfundojnë brenda 2 muajve.

Temperaturat e larta të këtyre ditëve i vështirësojnë edhe më tej kushtet e punës dhe për këtë arsye, në objekt punohet edhe gjatë pasdites, siç dëshmohet në pamjet filmike që po publikon “DurrësLajm”.

“Veliera” është një nga projektet infrastrukturore më të kushtueshme në Durrës dhe në total kap vlerën rreth 9 milionë euro. Njëkohësisht ai është ndër projektet më të zvarritura në vite, pasi ka nisur të zbatohet që në vitin 2016 dhe ende nuk ka përfunduar.

Së bashku me shëtitoren “Taulantia” (rikonstruksioni i së cilës kushtoi rreth 2.8 milionë euro) si dhe me sheshin “Liria” (rivitalizimi i të cilit kushtoi rreth 5 milion euro), Veliera mund të konsiderohet si një nga 3 projektet e “florinjta” të qendrës së Durrësit, të realizuara në kuadër të Rilindjes Urbane.

Si rrëmbeu Veliera rreth 9 milionë euro në 5 tendera

Punimet në sheshin “Veliera” nisën në fundin e vitit 2016, ndërsa ende sot ato nuk kanë përfunduar.

Në 5 vite të ndryshme, “Veliera” ka rrëmbyer fonde nga buxheti i shtetit dhe buxheti i bashkisë duke arritur një kosto prej rreth 950 milionë lekë pa TVSH.

Tenderat:

Tenderi i parë, viti 2016  – 451.5 milionë lekë pa TVSH

Tenderi i fazës II, viti 2017 – 118.6 milionë lekë pa TVSH

Tenderi i fazës III, viti 2018 – 64.8 milionë lekë pa TVSH

Tenderi i shtesës së kontratës, viti 2020 – 84.9 milionë lekë pa TVSH

Tenderi i fazës IV, viti 2021 – 188.4 milionë lekë pa TVSH

Në total – 905 milionë lekë pa TVSH – 5 tendera

3 nga 5 tenderat e kësaj vepre janë klasifikuar me Flamur të kuq nga Open Procurement Albania. Tenderi i fazës II dhe III janë me flamur të kuq për shkak të skualifikimit të të gjithë operatorëve konkurues, përveç fituesit, ndërsa shtesa e kontratës është me flamur të kuq për shkak të mungesës së konkurencës, sepse në tender mori pjesë vetëm kompania Everest shpk, që kishte kryer punimet në fazat e tjera të projektit.

Fondet shtesë për Velierën nuk u ndalën as në vitin 2020, kur qyteti bregdetar i kishte të hapura të gjitha plagët që la pas tërmeti i 26 nëntorit 2019. Në atë vit, kompania Everest shpk ofroi tenderin duke ofruar fondin limit që ofronte bashkia Durrës për këtë projekt, 84.981.120 lekë.

M.B.