Dita e parë e punës së tregut të fruta perimeve, pas 9 muajsh rikonstruksion, ka nisur me debate mes tregtarëve dhe inspektores së markatës. Disa prej tyre janë ankuar për afërsinë e banakëve, sepse nuk u japin mundësi të tregtojnë lirshëm.

“I dua hapësirat siç kanë qenë, paguaj edhe më shtrenjtë, por të kemi hapësirë ku të vendosim mallin”,- thotë njëri prej tregtarëve.

Por shqetësimi primar i shumë tregtarëve i ngritur për “DurrësLajm” mbetet mos kompletimi i të gjithë tregut me banakë. Deri më tani janë vendosur 174 banakë, ndërsa pritet të vijnë edhe 94 të tjerë. Në mungesë të tyre, shitësit po tregtonin sot mbi arka dhe tavolina të improvizuara.

“Kur mbajtën mbyllur 9 muaj, ta mbanin mbyllur edhe 9 ditë e të kompletoheshim të gjithë me banakë”,- thotë një tregtare.

“Mos ta hapnin fare”,- thotë një qytetar, ndërsa pastaj vijon duke thënë se markata duhej të hapej kur gjithçka të ishte gati për 270 tregtarët që ushtrojnë aktivitetin aty.

Në ditën e parë e punës për markatën, shumë vende tregtimi ishin bosh, ndërkohë që në ditët në vijim pritet që të rinisë me funksionalitet të plotë i gjithë tregu. Tregtarët dhe blerësit janë të kënaqur me kushtet që ofron markata pas rikonstruksionit.

Megjithëse kanë nënshkruar kontratat, tregtarët ende nuk dinë sesa para do të paguajnë për ushtrimin e aktivitetit në tregun e ri.

“Nuk e dimë ende sa do të paguajmë për vendin. kontratat i kemi firmosur, por nuk i kemi lexuar. Jemi në pritje të asaj çfarë do të na thonë”,- thotë një tregtare.

I nisur që në fillim të korrikut 2021, u desh plot 9 muaj që të përfundojë rikonstruksioni i markatës, megjithëse fillimisht bashkia pati premtuar se punimet do të përmbylleshin brenda 3 muajsh.   

M.B.