Në plazhin e Durrësit ka nisur punën ekipi i task forcës së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për të garantuar sigurinë ushqimore përgjatë sezonit veror. Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, e ka ndjekur nga afër punën e kësaj task force së bashku me kryetaren e bashkisë, Emirjana Sako.

“Durrësi është një qytet i zgjedhur nga familjet prandaj është shumë e rëndësishme të jemi në terren dhe të ofrojmë sigurinë ushqimore, aq e rëndësishme jo vetëm për turistët, por edhe për qytetarët”,– tha Sako.

Task Forca e AKU për sezonin veror, e krijuar si pjesë e task forcës kombëtare me urdhër të kryeministrit, ka nisur të operojë më 26 qershor dhe do te jete aktive deri ne fund te shtatorit. Janë 100 inspektorë të ndarë në 35 grupe dhe të shpërndarë në të 12 qarqet.

“Vëmendja jonë do jetë e përqendruar si në bregdet në Durrës, Lezhë, Vlore apo Sarande, ashtu dhe në Tiranë, Berat, Krujë etj. Nga analiza e riskut janë përzgjedhur 6000 subjekte, të cilat do të mbikqyren ku bëjnë pjesë hotele, restorante, pasticeri apo supermarkete”,– tha drejtoresha e përgjithshme e AKU, Jeta Deda.

Objektivat kryesorë të këtyre kontrolleve janë këshillimi dhe garantimi i kushteve të duhura të tregtimit, por ministrja Krifca bëri me dije se rastet e shkeljeve të përsëritura nuk do të tolerohen dhe do të referohen tek organet e drejtësisë.

“Nëse do të shohim veprime të përsitura dhe paligjshmëri, ato do të referohen të gjitha në organet ligjzbatuese, sepse siguria ushqimore dhe cënimi i saj është jetik për ne”,- tha ministrja.

Objekt i kontrolleve do të jenë kushtet higjeno-sanitare, kushtet e magazinimit dhe tregtimit dhe zbatimi i legjislacionit përsa i përket sigurisë së produkteve ushqimore. Task Force do të jetë në terren deri në fund të shtatorit, kohë që përkon me mbylljen e sezonit veror.

M.B.