Sot mbahen zgjedhjet vendore në vendin tonë, ku pritet të zgjidhen 61 kryebashkiakët e rinj.

Në Durrës procesi i votimit ka nisur qetësisht, ku durrsakët do të zgjedhin emrin e kryebashkiakut midis Emiriana Sakos dhe Igli Carës.

Këto janë pamjet që sjell “DurrësLajm” nga disa qendra votimi në shkollën “Jusuf Puka”, ku votojnë përkatësisht lagjet nr.3 dhe 4 të qytetit.

Procesi i votimit ka nisur në orar dhe po shkon qetësisht, ndryshe nga disa qendra të tjera votimi ku ka nisur me vonesë për shkak të mosfunksionimit të aparaturave të identifikimit.

Në bashkinë Durrës ka 266.159 votues dhe nga këta rreth 3500 votojnë për herë të parë.

Në garë për bashkinë Durrës janë kandidatja e Partisë Socialiste Emiriana Sako dhe kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë ” Igli Cara.

Emiriana Sako kandidon për një mandat të dytë, pas fitores së arritur përballë dy rivalëve demokratë Ardian Muka dhe Luan Hoti në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit të vitit të kaluar (Sako – 58.4%; Muka – 29.6% dhe Hoti – 11.8%).

Ndërkohë Igli Cara, ish-deputet dhe ish-kryetar i PD-së lokale, synon mandatin e parë si kryebashkiak.