Maturantët fitues sot kanë nisur regjistrimin në programet e studimit në universitetet e përzgjedhura, duke filluar kështu një rrugëtim të vështirë, por edhe mjaft të rëndësishëm për vazhdimësinë e jetës së tyre. Edhe pse viti i ri akademik për universitetet fillon më 15 tetor, regjistrimet për studentët e rinj kanë filluar mëngjesin e sotëm. Universiteti “Aleksandër Moisiu” i Durrësit ka shpallur listat e maturantëve fitues për 41 programet e studimit të ciklit të parë, duke filluar kështu edhe regjistrimin e tyre. Disa prej studentëve të rinj fitues, të cilët sot kanë kryer procedurat e regjistrimit, janë shprehur për DurrësLajm se universiteti “Aleksander Moisiu” ka qënë përzgjedhja e tyre e parë dhe janë mjaft të kënaqur që do të ndjekin studimet e tyre të ciklit bachelor pranë tij.

Studentët e rinj kanë kohë deri më 12 shtator që të regjistrohen pranë universiteteve ku janë shpallur fitues, sipas programeve respektive të studimit. Çdo dy ditë, sekretaritë e fakulteteve respektive bëjnë pastrimin e listave nga emrat fitues, por që nuk janë regjistruar, duke i hapur rrugë kështu plotësimit të kuotave me maturantët e tjerë, sipas rendit zbritës në listë.