Nisin punimet për rehabilitimin e argjinaturës së lumit Erzen, që u bë shkak dy herë gjatë këtij viti për përmbytjen e dhjetëra shtëpive në njësinë administrative Sukth.

Lajmin e ka bërë të ditur kryebashkiakja Emiriana Sako, e cila ka inspektuar nga afër ndërhyrjet që po bëhen në terrem.

“Sipas premtimit që ju bëmë banorëve të Sukthit kemi filluar punën për rehabilitimin e agjinaturës së lumit Erzen në mënyrë që të shmangim përmbytjet në këtë zone”,- shkruan Sako.

Kryetarja e bashkisë bën të ditur se vetëm në këtë njësi administrative këto punime do të vazhdojnë në një gjatësi prej 5 kilometrash dhe lartësia e argjinaturës së rehabilituar ka arritur në 7 metra.

Më pas, ndërhyrjet në terren do të vazhdojmë edhe në njësinë e Katundit të Ri.

“Puna do të vijojë derisa të rehabilitohet argjinatura e këtij lumi në të gjitha zonat problematike për të parandaluar përmbytjet”,- e mbyll statusin e saj Sako.

Tre muaj më parë, “DurrësLajm” intervistoi banorët e përmbytur dy herë brenda pak javësh, në fillim të këtij viti. Të pakënaqur nga dëmshpërblimi që morën për dëmet e shkaktuara në banesa, kërkesa e tyre ndaj autoriteteve vendore ishte ndërhyrja në argjinaturë, për të evituar përmbytjet në të ardhmen.