Fermerët e bashkive Peqin, Rrogozhinë dhe Kavajë, këtë verë nuk do të kenë më shqetësim ujitjen e tokave të tyre bujqësore. Qeveria shqiptare, në bashkëpunim me njësitë vendore, ka nisur nga puna për rehabilitimin e kanalit ujitës Peqin-Kavajë, një ndër veprat më të rëndësishme hidroteknike, në shërbim të ujitjes, i ndërtuar kryesisht në periudhën 1952-1965, me një gjatësi rreth 40 km.
Punimet për këtë vepër u inspektuan nga ministrja e Bujqësisë Anila Denaj, drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla dhe deputeti i PS, Etjen Xhafaj.
Veliaj e cilësoi jetik një investim të tillë, që do të ndikojë në rritjen e prodhimeve bujqësore dhe me impakt të drejtpërdrejtë në turizëm.
“Nën drejtimin e Kryeministrit Rama, Shqipëria ka bërë një kthesë të jashtëzakonshme kur vjen puna për turizmin dhe bujqësinë. Në qoftë se më përpara i kishim njëshifrore arritjet në këto fusha, sot i kemi dyshifrore. Lumi Shkumbin i jep jetë gjithë zonës së Shqipërisë së Mesme. Mund të kemi disa kohë me shi të jashtëzakonshëm, dhe ndërkohë mund të kemi kohë të tjera ku nuk bie pikë shiu, dhe për këtë arsye, këto kanale janë jetike. Këto janë venat dhe arteriet tona. Në qoftë se kolesteroli bllokon venat e njeriut, plehrat që hedhim bllokojnë venat e një komuniteti të tërë. Këto janë venat më të cilat ushqehet ‘trupi’ i bujqësisë sonë. Prandaj, kjo që po bëjmë këtu është vërtet një operacion. Por, nëse komuniteti hedh prapë bagëti të ngordhura, plehra nga dritarja, atëherë do të thotë se kemi ndryshuar infrastrukturën, por nuk kemi ndryshuar kulturën. Në qoftë se ministria ka për detyrë të zhbllokojë 40 mijë kilometra kanale, ne kemi detyrë të zhbllokojmë 4 centimetra; duhet të kuptojmë se me këtë punë jetojnë shumë njerëz, ushqehet një Shqipëri e tërë, ushqehen turistë, çojmë për eksport, prodhojmë financa, rritet vlera e pronës”, deklaroi ai.