Në bashkinë e Shijakut ka nisur procesi i rifreskimit të administratës, veçanërisht ai i drejtorëve të disa sektorëve kyç të institucionit.

Është vetë kryetari i bashkisë Elton Arbana, që njofton se duke nisur nga e hëna e kësaj jave është hapur thirrja për aplikim për të gjithë të interesuarit për pozicionet: Drejtor Juridik, Drejtor i Urbanistikës, Drejtor i Bujqësisë dhe specialist sektori në Sektorin e Menaxhimit të Pyjeve.

Sipas Arbanës, ky proces “është pjesë e përpjekjes sonë për ripërtëritjen dhe rifreskimin e administratës për rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve, në përputhje me aspiratat drejt BE-së”.

Ai fton të gjithë të interesuarit të marrin informacion të detajuar mbi kriteret dhe dokumentacionin e nevojshëm duke u drejtuar pranë zyrave në bashki.

Në të gjithë bashkitë e vendit, muaji shtator pritet të karakterizohet nga lëvizje të shumta në administratën lokale, nisur kjo nga ultimatumi që kreu i qeverisë Edi Rama u la të gjithë drejtuesve vendorë për të ripërtërirë administratën, në nivel nënkryetarësh, drejtorësh, krerësh të Njësive Administrative etj.