Nis rikonstruksioni i Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Një pjesë e materialeve, që do të përdoren për rikonstruksionin e qendrës kanë nisur të mbërrijnë sot, ndërkohë që ato po vendosen në ambientet e brendshme të godinës.
Mësohet se rikonstruksioni do të kryhet paralelisht me zhvillimin e aktiviteteve kulturore të programuara për t’u mbajtur në sallën e madhe të teatri apo në hollin e qendrës.
“DurrësLajm” mëson se deri në muajin maj të vitit të ardhshëm, Qendra Kulturore do të jetë funksionale.
Rikonstruksioni i Qendrës Kulturore do të realizohet me një fond në vlerën rreth 496 milionë lekë, investim i bashkisë Durrës.
Rikonstruksioni i godinës 3 katëshe, që shërben si Qendër Kulturore dhe Teatër, parashikon restaurimin dhe riorganizimin e të gjitha hapësirave të godinës, e cila prej vitesh shfaq probleme të ndryshme që lidhen me lagështirën dhe rënien e suvasë.
Projekti synon rritjen e kapacitetit të sallës kryesore duke e cuar numrin e vendeve të spektatorëve në 360, nga 250 që është aktualisht.
Ndërhyrja në ndërtesë do të krijojë kushte të përshtatshme për aksesin dhe lëvizjen e personave me aftësi të kufizuar (P.A.K).
Projekti i restaurimit të jashtëm/fasadës së ndërtesës synon ruajtjen dhe evidentimin e vlerave te trashëgimisë kulturore, historike, urbanistike e mjedisore të qendrës së qytetit të Durrësit.
M.B.