Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar nisjen e projektit “Emergjencë për riparimin e nënshtresave dhe shtresave asfaltike” në aksin rrugor Vorë–Ura e Dajlanit.

Punimet do të fillojnë më 13 tetor 2025, dhe për shkak të ndërhyrjeve do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit në drejtimin Vorë–Durrës, në këto segmente:

  • Vorë–Maminas
  • Maminas–Sukth
  • Sukth–Fllakë
  • Fllakë–Mbikalimi i Shkozetit
  • Mbikalimi i Shkozetit–Ura e Dajlanit

Sipas njoftimit, kohëzgjatja e punimeve do të jetë 1 deri në 2 ditë për çdo segment.

Për të shmangur trafikun, përdoruesve të rrugës u rekomandohet të ndjekin itinerarin Vorë–Maminas–Katër Rrugët e Shijakut–Durrës.

Pas përfundimit të punimeve në krahun Vorë–Durrës, ndërhyrjet do të vijojnë edhe në drejtimin e kundërt Ura e Dajlanit–Vorë, me të njëjtin plan segmentesh dhe afat kohor.

Autoriteti Rrugor Shqiptar kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për ndërhyrjen, e cila synon përmirësimin e qarkullimit dhe sigurisë në këtë aks të rëndësishëm.