Nis riparimi i murit anësor të nënkalimit të Velierës, I cili u dëmtua 3 muaj më parë, kur prej tij u shkëputën shumë nga pllakat dekoruese drejtkëndore.
Që nga fundi i muajit janar, e gjithë zona e dëmtuar u rrethua me shirit sigurie për të ruajtur kalimtarët nga rreziku që mund t’u kanosej ndërsa përshkonin trotuarin e ngushtë të nënkalimit.
Nga dita e premte, punëtorët e ndërmarrjes “Rruga” kanë nisur të rivendosin pllakat e rëna. Autoritetet vendore fajësuan lagështirën si shkakun e shkëputjes së elementëve dekorues nga muri i nënkalimit.
Veliera është një nga veprat arkitekturore më të kushtueshme të viteve të fundit në Durrës.
Ndërtimi i Velierës nisi në fund të vitit 2016, por punimet në të ende nuk kanë përfunduar, megjithëse projekti i ka kushtuar më shumë se 10 milionë euro buxhetit të shtetit dhe buxhetit të bashkisë Durrës, që financuan ndërtimin e saj.
Projekti i hartuar nga arkitekti italian Marco Kasamonti zë një sipërfaqe prej 12 mijë metra katrorë dhe është një nga projektet e “florinjta” të Rilindjes Urbane në Durrës.
Punimet e saj u ndërprenë disa herë për shkak të proceseve gjyqësore dhe “forcave madhore” si tërmeti dhe pandemia Covid-19, ndërkohë që për përfundimin e projektit bashkia Durrës ka akorduar fonde të konsiderueshme nga buxheti i saj për forcimin e nënkalimit dhe veshjen e Velierës me pllaka dekoruese.
M.B.