TIRANE, 21 shkurt 2013- Nis seanca gjyqësore ndaj gjyqtarit të Durrësit Neritan Tabaku, i akuzuar për lirimin e Ilir Xhakjas, vrasësësit të Komisarit të Shijakut, Adem Tahiri. 

Në seancën që nisi rreth orës 12:20 në Gjykatën e Tiranës mësohet se është i pranishëm edhe vetë i pandehuri Tabaku. Kujtojmë se kjo seance është shtyrë disa here me pretendime të ndryshme. 

Ai pritet të përballet me akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi sipas prokurorëve liroi dhe më pas vonoi zbardhjen e vendimit për Ilir Xhakjen, për sa i përket rastit të vrasjes së shtetasit Qerim Maloku në vitin 1998. 

Ishte gjyqtari Neritan Tabaku, ai i cili i dha pafajësinë Ilir Xhakjas në vitin 2002 për këtë krim. Ndërkohë, Ilir Xhakja do të kryente 10 vite më pas një tjetër vrasje, atë të kryekomisarit të Shijakut Adem Tahirajt.

Dosja e Prokurorisë

Në kërkesën për gjykim përcaktohet se ndaj ish-gjyqtarit Neritan Tabaku rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës në dëm të interesave të shtetit. Madje për këtë akuzë, gjyqtari rrezikon dënimin me gjobë ose me burg deri në 7 vjet. Veç të tjerash, në kërkesën për gjykim thuhet se ish-gjyqtari në momentin që nuk ka zbardhur brenda afatit të dhënë vendime të shkallës së parë, ka cënuar rëndë interesat e prokurorisë. Në argumentimin e organit të akuzës përmendet se ish-gjyqtari Neritan Tabaku në momentin që nuk ka zbardhur vendimin ndaj shtetasit Ilir Xhakja apo edhe Jordan Findikut, ka lënë për një kohë të gjatë pezull gjykimin në apel të këtyre dy shtetasve. 

Prokuroria në kërkesën për gjykim argumenton se ish-gjyqtari ka dëmtuar gjithashtu imazhin e gjyqësorit, duke mos zbardhur brenda afateve të caktuara vendimin ndaj Ilir Xhakjas, i akuzuar për vrasjen e ish-komisarit të Shijakut, Adem Tahiraj. Mësohet se prokurori i çështjes, Julian Zonja, në kërkesën për gjykim e akuzon Tabakun se për më shumë se një vit vonoi zbardhjen e vendimit, ku akuzohej për vrasjen e Qerim Malokut. Por mbi ish-gjyqtarin Tabaku rëndon edhe një tjetër akuzë, siç është ajo e moszbardhjes së vendimit ndaj shtetasit që gjykohej për falsifikim, Jordan Findiku. Kjo çështje mbeti e pazbardhur për pothuajse dy vjet dhe një fakt të tillë prokuroria ia sjell në vëmendje gjykatës së kryeqytetit si një rrethanë rënduese ndaj ish-gjyqtarit Neritan Tabaku. 

Në dosjen e përfunduar, që tashmë është depozituar pranë Gjykatës së Tiranës, organi i hetimit nuk jep asnjë të dhënë nëse Tabaku i ka vonuar me dashje zbardhjet e këtyre dy vendimeve. Neritan Tabaku u shkarkua nga detyra pak ditë më parë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pas apeleve të shumta të këtij institucioni që ai të ishte i pranishëm në seancat ku diskutohej marrja e masës disiplinore ndaj tij. Nga presidenti i vendit, por njëherësh edhe kreu i KLD-së, ekzistenca e rasteve të tilla, ku vetë gjyqtarët bëhen pengesë dhe privojnë palët nga ushtrimi i të drejtave kushtetuese, janë të papranueshme. Gjykimi i çështjes ndaj ish-gjyqtarit do të nisë më 25 janar.