Banorët e “5 majit” kanë protestuar që në orët e para të mëngjesit për të mbrojtur shtëpitë e tyre, të cilat priten të shemben nga IKMT, në kuadër të projektit të rindërtimit dhe rikualifikimit urban.
IKMT ka nisur mëngjesin e sotëm aksionin për shembjen e banesave, por është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes banorëve dhe policisë.
Sot parashikohet që të shemben 12 banesa. Ndërsa më parë janë shembur dhjetëra të tjera. Prej disa kohësh banorët e “5 Majit” por jo vetëm janë ngritur në protesta që kundërshtojnë shembjen e banesave të tyre.
Ata kërkojnë marrëveshje me qeverinë për banesat e reja dhe dëmshpërblimin në proporcion të drejtë me pronat që kishin.
Ditën e djeshme ata protestuan para zyrave të ARRSH, ndërkohë kanë paralajmëruar se do të përshkallëzojnë protestat e tyre, deri në grevë urie para Kuvendit, ose poshtë banesave të tyre.