IKMT dhe IMT e Durrësit po shembin katër pallate në lagjen 17 të qytetit, godina që ishin të dëmtuara rëndë nga tërmeti i Nëntorit dhe sipas ekspertizës së thelluar të Institutit të Ndërtimit duhen prishur për t’i hapur rrugë rindërtimit të tyre.
“Banorët e këtyre pallateve, që do të ndërtohen në të njëjtin vend, do të përfitojnë banesa të reja shumë më të mira se më parë me kushte dhe standarte bashkëkohore”– njofton bashkia.
Bëhet fjalë për 2 pallate 5 katëshe dhe 2 të tjera 6 katëshe, të ndërtuara shumë vite më parë. Ndërkohë, për shumë pallate shumëkatëshe të ngritura vitet e fundit dhe të dëmtuara rëndë nga tërmeti ende nuk ka një përgjigje përfundimtare nga Instituti i Ndërtimit nëse do të shemben apo riparohen.





