Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka nisur të shembë hotelin trekatësh në Radhimë të Vlorës këtë të martë rreth orës 10:00.
Deri më tani nuk ka asnjë reagim nga pronarët e godinës, të cilëve u ishte lënë një afat 10-ditor për boshatisjen e ndërtesës.
Ndërkohë shtetasja italiane që kishte marrë me qira hotelin thotë se ka mbetur në mes të rrugëve.
“Të kisha të paktën një çati mbi krye se nuk kam ku të shkoj. Unë kam paguar dhe taksat për gjithë vitin 2022”, ka thënë ajo.
IKMT-ja nisi një javë më parë prishjen e objekteve pa leje në bregdetin e Vlorës, ndërsa u ndal në zonën e Radhimës.
IKMT, së bashku me forca të shumta policore ndërhynë në një hotel trekatësh në Radhimë, sipas tyre që nuk ishte klasifikuar nga procesi i legalizimit.
Pronarë e hotelit janë ende në proces legalizimi dhe në proces gjyqësor me IKMT dhe disponojnë dokumentet e tokës ku është ndërtuar hoteli.
Ndërkohë hoteli i është dhënë prej dhjetorit me qira një shtetaseje italiane. Shtetasit italianë që kanë investuar kanë deklaruar se këtë çështje do ta ndjekin deri në fund duke e cilësuar të padrejtë ndërhyrjen e IKMT-së.
Pronarët dhe të afërmit kundërshtuan me forcë prishjen, ndërkohë një prej tyre mori fëmijën dhe hipi mbi tarracë, duke kërcënuar se do të hidhej nëse i prishet ndërtesa.