Nis instalimi i çadrave tek stadiumi “Niko Dovana”. Me afrimin e orëve të natës janë të shumtë qytetarët durrsakë që i janë drejtuar stadiumit të qytetit, aty ku ka nisur edhe instalimi i çadrave, ku pritet të kalohet nata.

Dëmtimet e shumta që kanë pësuar shtëpitë dhe pallatet nga tërmeti i fortë 6.3 ballë i orës 03.57 të mëngjesit të sotëm, kanë detyruar shumë qytetarë, që nga frika të mos kalojnë natën në banesat e tyre.

Nga burime të bashkisë mësohet se 100 çadra janë shpërndarë në fshatrat e Durrësit, ndërkohë që po instalohen 50 të tilla në stadium, ndërkohë që pritet të mbërrijnë edhe shumë të tjera.

Një pjesë e pallateve në Durrës janë bosh, pasi pas tmerrit të përjetuar orët e para të mëngjesit të sotëm, banorët tremben të flenë në shtëpitë e tyre.

Deri tani nga lëkundja e frikshme 6.3 ballë ka 18 viktima në të gjithë vendin, ndërkohë që njerëz të tjerë ndodhen ende nën rrënoja dhe nuk dihet asgjë për fatin e tyre.