Ka nisur ditën e sotme shpërndarja e bonusit të fundvitit për pensionistët. Ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhja, njoftoi se deri në orën 10:00 janë shpërndarë 19 566 bonuse për pensionistët në të gjithë vendin. Nga kjo shumë, 13,712 bonuse me vlerë 15,000 lekë për pensionet nën 20,000 Lekë, invalidët dhe pensionet familjare si dhe 5,854 bonuse me vlerë 10,000 lekë për pensionet mbi 20,000 lekë.
Ministri Blendi Gonxhja i bën thirrje pensionistëve se bonusi mund të tërhiqet në çdo pikë të Postës Shqiptare ose banka të nivelit të dytë deri më 30 Qershor 2025. Qeveria e miratoi bonusin në fund të nëntorit. Përfitues do të jenë rreth 724 mijë pensionistë. Fondin prej 100 milionë eurosh për pensionistët e bëri me dije kryeministri Edi Rama gjatë seancës parlamentare ku u diskutua për buxhetin e vitit 2025..