200 familje në qytetin e Shijakut kanë humbur çdo gjë nga përmbytjet. Madje në shtëpitë e tyre nuk ka mbetur asnjë orendi apo elektroshtëpiake, sepse nëse nuk i mori rrjedha e lumit Erzen, i nxori jashtë llumi i lumit. Në një situatë të tillë, 1 mijë pako ndihma, fasule, makarona, oriz dhe vaj, dhe nga 2 batanije kanë shpërndarë për banorët e përmbytur të Shijakut 2 deputetët e Durrësit, Blendi Klosi dhe Esmeralda Shkjau.  

Ndihmat erdhën si donacion nga qeveria kuvajtiane për banorët e Shijakut, të cilët në përmbytjet e 5 ditëve më parë kanë humbur gjithçka nga pasuria e tyre. Esmeralda Shkjau tha se përmbytje të tilla ndodhin në çdo vend të botës e të Europës, dhe për këtë duhet solidaritet.

Ministri Klosi e konsideroi situatën e përmbytjeve të tmerrshme, duke nënvizuar se duhet ndërhyrje për të eliminuar përmbytje të tjera.

Për kreun e bashkisë Ardian Kokomani, dëmshpërblimi do të bëhet i plotë për të gjithë banorët dhe biznesin që u dëmtua. “I kam thënë popullit të rrinë të qetë, çdo gjë është evidentuar dhe çdo gjë do të dëmshpërblehet, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave për situata të tilla.” 

Edhe pas 5 ditësh, banorët janë duke pastruar llumin dhe baltën që ka sjellë lumi Erzen brenda shtëpive të tyre, që janë kthyer në të pabanueshme.

K.H.