Instituti i Sigurimeve Shoqërore nisi sot shpërndarjen e pensioneve të indeksuara në masën 8.6 %, për 767 mijë pensionistë në të gjithë vendin.

Nga vendimi i qeverisë përfitojnë të gjitha kategoritë, pensionet e pleqërisë, pensionet e plota, pensionet e pjesshme, pensionet e reduktuara, ato të invaliditetit, pensionet në qytet, në fshat, pensione që jepen për ndihma të posaçme shtetërore, etj.

Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, përmes bashkëpunimit me Postën Shqiptare dhe bankat tregtare do të bëhet e mundur shpërndarja e pensioneve të rritura për të gjithë individët përfitues.

Në mënyrë të vazhdueshme, si një masë mbrojtëse për të përballuar goditjet e njëpasnjëshme, Qeveria ka ndërmarrë politika që kanë pasur si qëllim forcimin e mbrojtjes sociale.

Kjo rritje, sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë mbulon gjithë ndryshimin e çmimeve për periudhën gusht 2022 – gusht 2023, të matur nga INSTAT në mënyrë të dedikuar për kategorinë e pensionistëve (Indeksi i Çmimeve të Konsumit për pensionistët është i ndryshëm nga indeksi i popullatës, pasi merr në konsideratë ndryshimet e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve që konsumojnë pensionistët).

Për periudhën tetor – dhjetor 2023 efekti financiar në buxhetin e shtetit llogaritet në rreth 3.1 miliardë lekë, ndërsa për vitin 2024 do të jetë 12.1 miliardë lekë.

Gjatë vitit të kaluar janë realizuar dy indeksime, në total në masën 9.5%, me efekt financiar 5.4 miliardë lekë.

Ndërkohë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka bërë të ditur se pensionistët do të marrin në fund të vitit edhe bonusin prej 5 mijë lekësh.