Pas më shumë se një jave që drejtoria e podhimit të targave nuk shpërndau asnjë targë makinash në të 12 qarqet e vendit, për shkak të vonesave në tenderin e zhvilluar, fundjavën e shkuar ka nisur prodhimi i partisë së parë prej 500 copësh që u shpërndanë në tre rrethet më të mëdha në Tiranë, Durrës dhe Fier.

Në Tiranë procesi i targimit të automjeteve u bllokua për më shumë se një javë, në rrethet e tjera për më shumë se 10 ditë, ndërsa në Durrës, tre ditët e fundit të javës së shkuar targat u dhanë me pikatore vetëm në raste urgjente bëjnë me dije nga Drejtoria e Shërbimit të automjeteve. “Dyrrah” kontaktoi me drejtorin e ndërmarrjes së prodhimit të targave dhe shtypshkronjës, Asllan Gjeta i cili konfirmoi se sapo ka mbërritur pjesa e parë e bazës materiale për prodhimin e targave, por edhe letrës kimike për prodhimin e çertifikatave të pronësisë së automjeteve.

“Kemi prodhuar partinë e parë prej 500 targash që do të shpërndahet dhe në proces është partia e dytë. Prodhimi i tyre dhe shpërndarja shmang kolapsin që mund të shkaktohej në të gjithë vendin nga mungesa e tyre për një kohë të gjatë. Ndërkaq jemi furnizuar edhe me letrën kimike për prodhimin në shtypshkronjë të dokumentacionit të makinave, i cili ka qënë një problem shumë i madh që vijoi për muaj me radhë”,- konfirmoi Gjeta. 

Kjo drejtori e veçantë, në varësi nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor, kishte katër muaj që nuk prodhonte as 10% të  200 artikujve të transportit rrugor, të domosdoshme për shërbimin ndaj automjeteve, duke sjellë kasos dhe problematikë në të gjithë qarqet e vendit, për shkak se mungesa e një dokumenti për makinat, ka pasoja negative jo vetëm për lulëzimin e fenomentit të korrupsionit në mungesë të tyre, por edhe në lëvizjen e shoferëve pa dokumenta në rrugë. 

Drejtori i Shërbimit të automjeteve në Durrës tha se sapo është bërë furnizimi me bazën materiale të nevojshme, mungesa e të cilës ka qënë një problem i madh për shërbimet që kryhen ndaj të gjithë qytetarëve. Situata gjatë këtij sezoni nuk ka qënë aspak positive, sepse tenderat të cilat kryhen në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Automjeteve në Tiranë disa herë u zhvilluan e disa herë dështuan. Ndërkaq problematike është situata në drejtim të lehtësimit të procedurave në Drejtorinë e Shërbimit të automjeteve në Durrës.

Prej një shtatorit të muajit të shkuar salla e rregjistrimit të mjeteve dhe taksave qëndron e mbyllur, sepse Drejtoria e përgjithshme nuk lëvronte fondin e tenderit prej 450 mijë lekë të reja për rikonstruksionin e saj. Më i fundit pretendim nga ana e drejtuesve ishte ngjyra e të gjashtë sporteleve. Kur punimet përfunduan u kërkua që ngjyra e sporteleve të ishte blu. 3 javë pasi punimet kishin përfunduar firma që i ndërtoi u rikthye sërish dhe i bëri ngjyrë blu, por fondi ende nuk është zhbllokuar.

Si rezultat të gjithë drejtuesit e automjeteve që duan të kryejnë shërbime përballen me sallën e mbyllur dhe në mungesë të saj shërbimet ofrohen në zyrat e drejtorisë në vende krejtësisht të papërshtatshme për shoferët, qytetarët dhe kursantët e rinj të autoshkollave.

Burime zyrtare pranë kësaj drejtorie saktësojnë se rikonstruksioni ka përfunduar, sportelet janë kthyer në ngjyrë blu, por drejtori i përgjithshëm Arben Pinari nuk e ka dhënë ende urdhrin për zhbllokimin e fondeve. Në këto kushte të gjithë qytetarët dhe shoferët, janë të detyruar që këto shërbime t’i marrin në katin e parë të godinës së drejtorisë së Durrësit. 

Nëse deri para tre javëve fondi nuk zhbllokohej për shkak të ngjyrës së sporteleve tashmë salla nuk është në dispozicion të publikut, për shkak të burokracisë së drejtorisë së përgjithshme të automjeteve. Për  ngjyrën e sporteleve u bllokua puna një muaj për ndryshimin e tyre edhe tre javë të tjera. Praktika të tilla burokratike kur tenderat nuk zhvillohen në kohë, kur sallat qëndrojnë të mbyllura për ngjyrën e tavolinave, bien mbi kurrizin e qytetarëve durrsakë. 

Në Durrës, mesatarisht çdo ditë rregjistrojnë automjetet për t’i pajisur me targa të reja 50 deri në 70 qytetarë, ndërsa kryejnë shërbime të tjera mbi 300 qytetarë në ditë.