*Një mijë fëmijë rrezikojnë të mbeten analfabetë në rrethin e Durrësit.
Pak ditë më parë, Paloma e vogël 7-vjeçare apeloi gjatë një kronike në “DurrësLajm”, për një komplet librash për në klasën e parë, të mos mbetej pa shkollë, ashtu si kushërinjtë e saj që edhe pse kanë moshë më të madhe se vogëlushja, nuk ishin ulur asnjë ditë të vetme në bankat e një klase. Zërit të vogëlushes iu bashkuan edhe prindërit të cilët thanë se nuk kanë asnjë mundësi të blejnë librat, apo të paguajnë librat dhe më pas t’u rimbursoheshin.
Paloma 7-vjeçare është vetëm një prej 1 mijë fëmijëve të komunitetit egjiptian të cilët përballen me të njëjtin problem: varfërinë, dhe kushet e vështira ekonomike e sociale të tyre.
Ministria e Arsimit me një udhëzim të fundit këtë javë ka nisur shpërndarjen e teksteve falas për fëmijët e komunitetit egjiptian. Çdo prind që çon fëmijën në shkollë, librat mund t’i tërheqë falas pranë shkollave ku regjistron fëmijët e tyre, thotë shpërndarësi i teksteve shkollore. Për kategotitë e tjera që përfitojnë rimbursim të teksteve shkollore nuk është bërë ky lëshim siç janë invalidët, ata me ndihmë ekonomike, me statusin jetim etj. Prindërit e këtyre kategorive duhet të marrin librat me para nën dorë, ndërsa në muajt në vijim bëhet rimbursimi i tyre.
Përfaqësuesi i komunitetit egjiptian në Durrës, Artjan Llana, tha se është ngritur një grup pune për verifikimin e fëmijëve të këtij komuniteti që përfitojnë falas tekset shkollore e nuk kanë mundsi t’i blejnë. Por ai nuk e di sa fëmijë janë analfabetë nga komuniteti egjiptian, që nuk kanë shkuar asnjë ditë të vetme në shkollë, por mjaftohet me faktin se gjendja është më e mirë se me fëmijët e komunitetit rom.
Fëmijët egjiptianë e romë përbëjnë edhe grupin e fëmijëve “analfabetëve” për shkak se nuk frekuentojnë procesin mësimor si rezultat i problemeve të rënda ekonomike e sociale me të cilat përballen familjet e tyre.
Ndjekim intervistat.
K.H.