Të gjitha institucionet arsimore të arsimit parauniversitar nisin sot vitin e ri shkollor. Janë rreth 350 mijë nxënës të cilët nisin këtë vit shkollor, ndërsa 28 mijë prej tyre ulen për herë të parë në bankat e shkollës.
Nxënësit e arsimit të detyruar 9-vjeçar do të kenë dy periudha pushimesh. Periudha e parë e pushimeve do të jetë në fundvit, ndërsa periudha e dytë do të jetë në javën e parë të muajit prill, ndërsa viti shkollor do të përfundojë më 13 qershor.
Prej 9 shtatorit për nxënësit me nevoja të veçanta do të ketë 2100 mësues ndihmës.
Po ashtu 240 oficerë sigurie do të jenë të dedikuar për sigurinë e nxënësve në shkolla, 40 më shumë se në 2023.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu thotë se ky vit ka sjellë risi dhe investime të rëndësishme, ndër to fakti se 31 mijë mësues e nisin vitin shkollor me paga të rritura. Mbi 238 mijë nxënës përfituan këtë vit shkollor librat falas.