JÜLICH, 16 shkurt 2013 – Agjencitë e lajmeve bëjnë të ditur se në qytetin gjerman të Jylih-ut (Jülich) në landin (shtet) gjerman Vestfali-Rajni Verior (Nordrhein-Westfalen) filloi të punojë super-kompjuteri më i fuqishëm në Evropë. Performanca e tij është 5.9 katrilionë operacione në sekondë.
Shkencëtarët theksojnë se kapaciteti i këtij sistemi është rritur me etapa gjatë muajve të fundit dhe vetëm tani ka arritur maksimumin e vet. Me zhvillimin e këtij super-kompjuteri është marrë korporata IBM. Projekti u financua nga organizata më e madhe shkencore e Republikës Federale të Gjermanisë – Qendra Helmholtz, buxheti federal, si dhe nga buxheti i landit Vestfali-Rajni Verior. Shuma e saktë e shpenzuar për këtë qëllim nuk bëhet publike.
(th.m. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”)





