Profesoresha Maria Rosaria Capobianchi, infermierja Claudia Alivernini dhe punonjësi i shëndetit social Omar Altobelli, ishin të parët në Itali që morën vaksinën COVID-19 këtë mëngjes në Institutin Kombëtar për Sëmundjet Infektive Spallanzani në Romë.

“E them me zemër, vaksinohuni”, tha infermierja. “Ndihem shumë mirë. Unë u ofrova të vaksinohesha dhe u zgjodha ndër të parët si një simbol për të thënë se besoja në këtë zgjedhje. E gjithë popullata duhet të besojë”, tha Capobianchi, drejtore e laboratorit të virologjisë së Spallanzanit.

Ndërkohë për fillimin e vaksinimit ka reaguar edhe kryeministri italian Giuseppe Conte në Twitter.

“Sot Italia rizgjohet #Dita e Vaksinës. Kjo datë do të mbetet me ne përgjithmonë. Do të fillojmë me punonjësit shëndetësorë dhe grupet më të prekshme dhe pastaj do të shtrijmë në të gjithë popullatën mundësinë e arritjes së imunitetit dhe mposhtjen përfundimtare të këtij virusi”, shkruan ai.

Vendet anëtare të Bashkimit Europian nisin sot vaksinimin e qytetarëve kundër COVID-19.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen u shpreh të shtunën se miliona doza të vaksinës Pfizer/BioNTech janë shpërndarë në 27 vende anëtare.