Në të gjithë vendin, këtë të hënë nisi vaksinimi masiv i studentëve dhe pedagogëve pranë çdo universiteti. Në UAMD, tek godina nr.2 e kampusit, funksiononte që prej mëngjesit të sotëm qendra e vaksinimit, ku studentë e pedagogë merrnin informacion, por edhe vaksinoheshin. Në dispozicion të tyre ishte vaksina Astra Zeneca dhe kjo i bënte disa të interesuar hezitues, pasi preferonin të merrnin dozë të vaksinës Pfizer. Drejtoresha e NJVKSH Durrës, Aurora Hyka thotë se përqindja e pedagogëve të vaksinuar është mjaft e mirë, ndërkohë që fokusi i tyre tashmë mbeten studentët. Sipas saj, javët e fundit ka pasur një rritje të numrit të të rinjve të vaksinuar pranë qendrave shëndetësore.

Pjesa më e madhe e studentëve refuzojnë të përgjigjen para kamerës pasi tregohen indiferentë ndaj procesit të vaksinimit, por të tjerë e kanë marrë tashmë dozën e parë.

“Kam bërë dozën e parë të vaksinës Astra Zeneca dhe po pres të bëj edhe dozën e dytë. Ua këshilloj të gjithë bashkëmoshatarëve të mi ta bëjnë vaksinën”,- thotë një studente.

“E kam kaluar pak kohë më parë Covid-in. Sot u informova lidhur me kohën kur duhet ta bëj dozën e parë të vaksinës”,– thotë një tjetër studente.  

Dekani i Fakultetit të Biznesit, Shkëlqim Fortuzi, thotë për “DurrësLajm” se rreth 40% e studentëve janë vaksinuar, ndërsa procesi do të vijojë edhe përgjatë kësaj jave.

“Pjesa dërrmuese e pedagogëve e kanë bërë vaksinën. Një pjesë e vogël që e kanë kaluar kohët e fundit Covid-in si dhe ata që kanë probleme shëndetësore do të trajtohen sipas udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas të dhënave tona, rreth 40% e studentëve janë vaksinuar”,- deklaroi Fortuzi.

Drejtoresha Hyka ka një apel për të gjithë studentët, të cilët javën e ardhshme presin të ulen në auditore.

“Të jenë sa më të shumtë në numër dhe pavarësisht vendbanimit të tyre, përsa kohë janë studentë të UAMD-së, janë të mirëpritur”,– thotë Hyka.

E gjithë kjo javë do t’i dedikohet vaksinimit të studentëve pranë universiteteve përkatëse. Ministria e Arsimit shtyu me një javë nisjen e vitit akademik, ndërkohë që sipas udhëzimeve të deritanishme pedagogët e pavaksinuar do të paraqesin çdo javë testin PCR negativ pranë dekanateve respektive, ndërsa studentët e pavaksinuar do ta zhvillojnë procesin mësimor online.  

M.B.