Nis vaksinimi masiv në qytetin e Durrësit. Rreth orës 09:00 të mëngjesit të sotëm me dhjetëra pensionistë janë paraqitur pranë tendës së ngritur prej disa ditësh në sheshin “Liria”.

Personat që do të vaksinohen janë të gjithë të moshës +65 vjeç dhe janë kontaktuar paraprakisht nga mjeku i familjes për orën dhe vendin ku duhet të paraqiten.

Në shesh janë vendosur karrike të shumta ku qytetarët do të presin në radhë për t’u vaksinuar me “Sinovac”.

Të pyetur nga “DurrësLajm”, qytetarët shprehen të kënaqur që po marrin dozën e parë të vaksinës antiCovid, ndërsa shpresojnë t’u garantojë imunitet më të madh ndaj virusit.

Njëkohësisht ata deklarojnë se do të vazhdojnë të respektojnë protokollet e sigurisë, për t’u mbrojtur edhe pasi të jenë vaksinuar.

Prej në fillim, kur nisi fushata e vaksinimit në Durrës, si qendra kanë funksionuar pallati i sportit “Ramazan Njala”, ku nisi vaksinimi i të moshuarve mbi 80 vje­ç dhe më pas gazetarëve dhe policëve, shkolla “Jan Kukuzeli” ku vaksinohen mësuesit, pedagogët dhe edukatorët e çerdheve dhe kopshteve, si dhe disa qendra shëndetësore ku po vaksinohen të moshuarit me vaksinën kineze Sinovac.

Sipas ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu mbi 230 mijë qytetarë janë sot më të mbrojtur falë vaksinimit.