Ditën e sotme në Britaninë e Madhe ka nisur vaksinimin me AstraZeneca. Personi i parë britanik që ka marrë injektimin e vaksinës së AstraZeneca kundër koronavirusit është një 82-vjeçar i cili vuan nga dializa.

BBC shkruan se 82-vjeçari Brian Pinker, një pacient në spitalin Churchill, u bë njeriu i parë dhe britaniku i parë që merr këtë injeksion nga Astra Zeneca.

Pas tij vaksinën e AstraZeneca e ka marrë Trevor Cowlett, një mësues muzike 88-vjeçar, ndërsa i treti ishte Profesor Andrew Pollard, një pediatër që punonte në Spitalet e Universitetit të Oksfordit.

Vaksina e Universitetit të Oksfordit po shpërndahet në pothuajse të gjithë Britaninë e Madhe. Raportohet se ka nisur shpërndarja e 53 mijë dozave të para në gjashtë spitale në Oksford, Sussex, Lancashire, Warwickshire dhe dy në Londër.

Vaksina AstraZeneca është më e lirë dhe transportohet më lehtë sesa vaksina Pfizer-BioNTech. Kjo pasi temperatura që duhet të ruhet është si e barnave të zakonshme.

Britania të mërkurën u bë vendi i parë në botë i cili miratoi vaksinën AstraZeneca, dhe sot vendi i parë që nis vaksinimin me po këtë vaksinë.