Punonjësit e Bashkisë Durrës kanë nisur punën për vendosjen e sinjalistikës përkatëse në plazhet publike. Bëhet fjalë për hapësirën nga Ura e Dajlanit deri te zona e Përroit të Agait.
Përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook të Bashkisë Durrës, mësohet se 65 hapësira për plazhe publike janë në dispozicion të qytetarëve durrsakë dhe pushuesve.
Vitet e kaluara, vija bregdetare e Durrësit është ndarë në raportin 80% për privatin, ku përparësi kishin hotelet dhe 20% për plazhet publike për qytetarët.
Por këtë vit për shkak të pandemisë së koronavirusit, ashtu si shumë gjëra të tjera në jetën tonë, ndryshoi edhe ndarja e plazheve. Ndryshim pësoi edhe mënyra e aplikimit për të përfituar territor në bregdet për vendosjen e shezllonëve.
Nëse më parë, subjektet dorëzonin dokumentacionin e nevojshëm në Bashkinë Durrës, këtë sezon, duke filluar nga 1 qershori operatorët turistikë aplikuan në aplikacionin E-Albania.
Pas pajisjes me leje, do të lidhin kontratë me pushtetin lokal.





