Besa Shahini është larguar nga detyra si ministre e Arsimit. Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri Rama, ndërsa këtë pozicion do ta marrë tashmë Evis Kushi.

Shahini e kishte paralajmëruar edhe më herët largimin e saj, duke thënë se nuk do të jetë më ministre e Arsimit. Ajo kishte thënë se do të largohet nga Shqipëria, pas përfundimit të këtij mandati qeverisës. Shahini kishte deklaruar se për këtë vendim e ka njoftuar edhe kryeministrin Edi Rama.

Arsye për këtë kishte thënë të jetë largimi nga Shqipëria, për t’ju bashkuar familjes së saj në Kosovë.

“Unë tashmë kam njoftuar dhe kryeministrin Rama dhe kam marrë një vendim se nuk do të vazhdoj të qëndroj në Shqipëri përtej këtij mandati. Jeta ime është e paqëndrueshme në Shqipëri, pasi familja ime jeton në Kosovë. Në këto momente kur ka probleme nga këto siç jemi ballafaquar është pak e vështirë. Por, i kam thënë se jam në dispozicion që të shërbej, por nuk do të përfshihem në fushatë elektorale”, kishte thënë Shahini.