2425 nxënës u ulën sot për herë të parë në bankat e shkollave të bashkisë Durrës.

Mes emocioneve të shumta të vogëlushëve të klasave të para dhe tufave me lule shumëngjyrëshe, nisi ky vit i ri shkollor në Durrës.

Në 55 institucionet arsimore publike dhe 17 private nën juridiksionin e ZVA Durrës nisën mësimin 20739 nxënës në arsimin bazë dhe 8252 në arsimin e mesëm, nga të cilët 1898 maturantë.

Problematikat e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 vijojnë të mbeten të pranishme në bashkinë Durrës. Në shumë shkolla vijon procesi i rindërtimit dhe rikonstruksionit dhe mësimi me dy turne zhvillohet në 14 godina arsimore.

“Aktualisht janë 7 shkolla në proces rindërtimi, si  dhe 7 shkolla të tjera janë planifikuar për t’ju nënshtruar procesit të rikonstruksionit. Pavaresisht kësaj situate që vështirëson menaxhimin e procesit mësimor edukativ, janë marrë të gjitha masat për sistemimin e nxënësve në shkolla pritëse dhe zbatimin e orareve mësimore, që bëjnë të mundur sigurimin e efektivitetit në këtë proces. Ndërkohë që duhet thënë se kjo situatë nuk na mundëson mësimin me një turn në të gjitha institucionet arsimore. Janë 14 institucione që do të vijojnë mësimin në turnin e dytë.”, thotë drejtoresha e ZVA Durrës, Amarilda Thërmija.

Për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe stafit pedagogjik, këtë vit shkollor ka hyrë në fuqi paketa e sigurisë, e prezantuar disa ditë më parë nga ministri i brendshëm Taulant Balla, gjatë vizitës së tij në Durrës.

Sot për herë të parë hapën dyert dy institucione arsimore të rindërtuara, gjimnazi “Olsi Lasko” dhe çerdhja nr.2.

M.B.