Me shumë emocione për rikthimin në shkollë dhe me shumë buqeta me lule, për mësuesit e tyre.
Kështu nisi viti i ri shkollor 2025-2026 në institucionet arsimore të Durrësit.

Për ata që do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës për të nisur rrugëtimin e tyre drejt dijes emocionet janë edhe më të mëdha.
1887 nxënës do të frekuentojnë klasën e parë në 54 shkollat publike të bashkisë Durrës, ndërsa 1881 nxënës do të nisin rrugëtimin e tyre në klasën e dhjetë në gjimnazet e qytetit.
Në ndryshim nga viti i kaluar, këtë vit të ri shkollor edhe shkollat 9-vjeçare kanë në organikën e tyre oficerin e sigurisë. Aktualisht janë në detyrë 24 oficerë sigurie, ndërsa numri i tyre pritet të shtohet deri në fund të ketij muaji.

“Paketa e sigurisë në shkolla ka qenë një draft që përpara dy vitesh dhe këtë vit ka ardhur oficeri i sigurisë në shkollën tonë. Është një element shumë i rëndësishëm i shkollës, i cili i bashkangjitet reformave të reja në arsim, siç ishin vitin e kaluar koordinatori i cilësisë dhe koordinatori i karrierës”,- thotë për “DurrësLajm”, drejtoresha e shkollës “Jusuf Puka”, Blerta Maliqati.
“Jam Anila, oficerja e sigurisë së shkollës “Jusuf Puka”. Edhe për mua është hera e parë që jam në këtë pozicion. Sfida besoj do të ketë, por me bashkëpunimin e të gjithëve bashkë dhe me dëshirën për ta bërë sa më mirë këtë profesion, do ia dalim shumë mirë”.,- thotë Anila Jahja.
Këtë 8 shtator, 6 shkolla të qytetit nuk hapin dyert, sepse janë në proces rikonstruksioni dhe nxënësit do të jenë të detyruar të zhvillojnë procesin mësimor pasditeve, në shkollat pritëse.
Ndërkohë, në shkollën 9-vjeçare “Jusuf Puka” investimi i bërë nga bashkia për ambientet e reja eviton për herë të parë mësimin me dy turne.
M.B.





