16 grupe vlerësimi të ngritura nga Bashkia e Durrësit, në përbërje të secilit është një inxhinier ndërtimi, kanë nisur që nga sot mbajtjen e akt-vlerësimeve në banesat dhe bizneset e dëmtuara në qytet dhe njësitë administrative.

6 grupe vlerësimi mbulojnë qytetin e Durrësit ndërsa nga 2 janë të shpërndara për secilën njësi administrative. Në ndryshim nga herët e kaluara kur bëhej fjalë për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, akt-vlerësimet këtë herë nuk do të dorëzohen pranë Këshillit të Qarkut por përllogaritja e dëmit do të bëhet nga vetë Bashkia.

Nënkryetari i Bashkisë, Florian Tahiri bën të ditur se deri dje nga grupet në terren janë përpiluar 680 akt-konstatimi në banesa, biznese dhe pallate në të gjithë bashkinë Durrës.

Tahiri shton se nga dëmet e shkaktuara nga tërmeti, vetëm një kopësht nuk është hapur në Ishëm ndërkohë që në të gjitha institucionet e tjera arsimore që mbulon bashkia e Durrësit, procesi mësimor ka vijuar normalisht.

Tahri bën të ditur gjithashtu se një vëmendje e veçantë në strukturat shtetërore është duke ju kushtuar këto orë lumit Erzen pasi rritja e nivelit të tij për shkak të shirave të një nate më parë, mund të shkaktojë përmbytje në njësitë administrative Katund i Ri dhe Sukth.

Aktualisht në Kavaleshencë janë të strehuar 80 persona, të cilët janë ndihmuar nga shoqata Word Vision, me 100 pako me ushqime, batanije si dhe produkte higjieno-sanitare. Ndërkohë që një kompani private ka furnizuar Kavaleshencën me 1000 litra gaz.

Tahiri deklaron se paraditen e sotme bizneset e dëmtuara nga tërmeti në zonën e plazhit janë inspektuar nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj.

M.B.