Në rrugën që të çon për në Universitetin e Durrësit në Currila, problemi i lëvizshmërisë është shumë i madh si për makinat edhe për këmbësorët.

Bashkia ka dërguar fadromat për pastrimin e baltës që ra një ditë më parë duke bllokuar rrugën.  

Vetëm një korsi është e hapur për të qarkulluar por edhe në këtë korsi ka mjaft baltë dhe këmbësorët e kanë vështirë të bëjnë shëtitjet e tyre të zakonshme. Ndërkaq infrastuktura rrugore është dëmtuar nga ujrat e dherat që  zbritën prej kodrës.

Qytetarët që iu drejtuan për shëtitje Currilave u kthyen mbrapsh nga balta e madhe. Ata kujtojnë se deri para viteve 90, nuk ndodhte kurrë një gjë e tillë.

Nga Shtabi i Emergjencës mësohet se shërbimi zjarrfikës është duke punuar për të hequr baltën nga dy shkollat e përmbytura “Naim Babameto” dhe “Met Hasa” në Spitallë, në të cilat nuk është zhvilluar mësim as sot.

K.H.