Ka nisur më në fund puna në Porto-Romano për zhvendosjen e mbeturinave drejt landfillit të Sharrës. Porto-Romano do të fillojë të pastrohet dhe plehrat do të evakuohen të gjitha. Ndërkohë me inertet e mbledhura duhet bërë seleksionimi dhe njëkohësisht edhe puna bazë për trasformimin e Porto-Romanos në park.
Pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit, gërmadhat nga objektet e shembura nisën të ktheheshin në bazamentin e Parkut të Madh të qytetit, që sipas premtimit të Kryeminsitrit Rama në dhjetor 2019, do të mbyllin kështu njëherë e mirë plagën e tmerrshme mjedisore të fushës gjysmëshekullore të plehrave.
Megjithatë, banorët e zonës mbeten ende skeptikë, pasi janë zhgënjyer nga premtimat e shumta të pambajtura ndër vite dhe shumë prej tyre kanë shfaqur probleme të shumta shëndetësore. Ata shpresojnë që nëse ky projekt do të realizohet siç është parashikuar, do të ketë një ndikim pozitiv të madh për të gjithë zonën.
“Para disa muajve ishte një tym shumë i madh në këtë zonë. Tani është shumë më i egër avullimi i tyre në atë tokë, është helm shumë i rrezikshëm. Është shumë e nevojshme të hiqen për shëndetin tonë. Besimi është shumë i paktë. Ishalla bëhet. Po u bë do bëhet një mirësi shumë e madhe, se nuk jemi pak por mbi 10 mijë banorë, të shpëtojmë shëndetin tonë”, shprehet një nga banorët e zonës.
“Na janë sëmurur njerëzit, na janë paralizuar. U bënë 25 vjet dhe nuk është vënë dorë këtu. Nuk është bërë asgjë fare, nuk kemi gjetur zgjidhje, kërkesat tona kanë rënë në vesh të shurdhër”, thotë një tjetër banor.
PROJEKTI
Sipas projektit, në një sipërfaqe prej 155 000 m² do të ndërtohen ambiente sportive, 3 fusha basketbolli, 1 fushë minifutbolli, 2 fusha tenisi; do të krijohet një kopsht botanik si dhe për herë të parë në vendin tonë: një Climbing Wall 28 metra i lartë (mur ngjitës). Kodrat do të jenë me hapësirë ekologjike, ndërsa parashikohet që projekti të përfundojë në vitin 2021.
S.L.





