Nis zyrtarisht “divorci” i Britanisë së Madhe me Bashkimin Evropian.

Letra e nënshkruar nga Kryeministrja britanike, Theresa May, ku kërkohet aktivizimi i artikullit 50 të Bashkimit Evropian për nxjerrjen e vendit nga unioni me 28 vende, i është dorëzuar Presidentit të Këshillit të Evropës.

Kjo lëvizje shënon nisjen zyrtare të procesit të Brexit-it dhe nisjen e numërimit mbrapsht për daljen e Britanisë nga BE-ja. I gjithë procesi pritet të zgjasë rreth dy vite.

Në kohën që Tusk mori letrën, May po fliste në parlamentin Britanik ku tha se ishte e vendosur të arrinte marrëveshjen e duhur për çdo britanik teksa procesi i vështirë i negociatave nis.

27 vendet e Bashkimit Evropian dhe Britania e Madhe tani do të nisin procesin e negociatave për të vendosur të ardhmen e marrëdhënieve mes tyre.