Një 36-vjeçare nga Maqedonia ka denoncuar në polici një të ri, të cilin e akuzon se ka tentuar ta përdhunojë. Ngjarja ka ndodhur orët e para të mëngjesit në një lokal, kur maqedonasja ishte nisur nga Durrësi në drejtim të Bllatës. Ajo ka qenë e shoqëruar nga vëllai dhe xhaxhai gjithashtu.

“Në datë 10 korrik 2017, në orën 02:30 ka bërë kallëzim në Policinë e Dibrës shtetasja maqedonase B.K., 36 vjeçe, banuese në Prilep, Maqedoni.

Ajo ka deklaruar se ishte duke udhëtuar me vëllanë dhe xhaxhanë nga Durrësi në drejtim të Bllatës, shoqëruar nga shtetasit B.B., (shtetas maqedonas) dhe shtetasi shqiptar i identifikuar prej tyre me emrin S.N.

Gjatë udhëtimit janë ndalur për të pushuar në një lokal. Kur shtetasja B.K. ka shkuar në tualetin e lokalit, sipas denoncimit, shtetasi S.N. dyshohet se ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj.

Më pas shtetasja B.K. së bashku me familjarët janë nisur në drejtim të Pikës së Kalimit Bllatë, shoqëruar përsëri nga dy shtetasit e sipërpërmendur.

Në vendin e quajtur ‘Rreth Rrotullimi – Bllatë’  Maqellarë, shtetasi S.N. u ka dalë përpara në rrugë dhe u ka marrë shumën prej 100 eurosh. Dyshohet se ai ua ka marrë këtë shumë, si shpërblim për shoqërimin nga Durrësi në Bllatë”, sqaron policia e Dibrës.

Bazuar në këto deklarime, specialistët e Policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër kanë nisur punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes. Vijon puna për identifikimin dhe shoqërimin e personit të denoncuar, pasi gjeneralitetet me të cilat u është prezantuar shtetasve maqedonas janë të rreme.