Skënder Brataj, drejtori i qendrës Kombëtare të Urgjencës dhe anëtar i Task-Forcës për koronavirusin deklaroi mbrëmjen e sotme se janë duke u dërguar drejt Infektivit dy raste pozitive ndaj virusit, por që kanë edhe patologji të tjera.
Sipas Bratajt, po dërgohen drejt spitalit Infektiv një pacient nga Tirana dhe një paciente nga Durrësi, që janë në mesin e 23 të prekurve nga koronavirusi deri më tani.
Më herët, gjatë ditës, DurrësLajm ngriti shqetësimin e djalit të njërës nga dy të prekurat me koronavirus në qytetin bregdetar.
Megjithëse e moshuara kishte lënë spitalin ditën e hënë dhe sapo ishte shëruar nga një pneumoni dhe ditën e enjte u konfirmua se ishte e prekur nga koronavirusi, ajo vazhdonte të qëndronte në shtëpi, pasi askush nuk kishte shkuar për ta marrë.
DurrësLajm shktroi disa pyetje që kushdo mund t’i bënte në këtë rast:
- Pse qëndrojnë të shtruar në spitalin e infektivit 5 pacientë me moshë relativisht më të re sesa e moshuara në Durrës, ndërkohë që ajo, megjithëse ka kaluar një pneumoni vetëm pak ditë më parë, qëndron në shtëpi, vetëm nën kujdesin e familjes?!
- Pse asnjë mjek nuk e ka parë nga afër gjendjen e të moshuarës gjatë këtyre ditëve?
- Sa rrezikojnë familjarët e zonjës në këtë rast, pasi ata kanë qenë në kontakt të ngushtë me të këto ditë?
- Si mund të vetëkarantinohet në shtëpi një person i moshës së tretë, që mund të ketë nevojë për kujdesin e familjarëve?
Ditën e sotme, shkoi në 23 numri i të prekurve nga koronavirusi në të gjithë vendin, ku vetëm dy raste janë në Durrës. Vlen të kujtohet që të mërkurën u regjistrua viktima e parë në vend nga Covid 19, një 73 vjeçare nga qyteti bregdetar, e cila vuante nga disa sëmundje kronike.





