Ndërsa në vitet e lulëzimit të saj numëronte 2500 punëtorë, sot ngrehina e ish-Nish Gomës të ofron pamjen e një godine që mezi mbahet në këmbë. Gjigandi i plastikës në vendin tonë pushoi së funksionuari në vitin 1994, pasi nuk mundi të konkuronte me produktet e importit. Linjat e prodhimit dhe makineritë mjaft të vjetra nuk u mundësonin specialistëve të realizonin produkte cilësore e me kosto të ulët. E braktisur në fatin e vjetër, ndërtesa e shkatërruar shërben vetëm për të kujtuar atë që ishte dikur ndërmarrja ku u prodhua edhe çamçakëzi, një luks i vërtetë për atë kohë.
Prej dhjetë vitesh shumë godina e kapanone në Shkozet kanë mbetur të zbrazuara dhe rrënohen ditë pas dite. Është ndërmarrja e Nish Gomës, e ndërtuar këtu e 30 vite të shkuara. Këto objekte gjenden në anë të rrugës Shkozet-Nish Tulla, sapo kalon rotondën, në të djathtë të segmentit rrugor. Më shumë se 2500 familje mbaheshin me të ardhurat që siguronin burra e gra, vajza e djem të punësuar në këtë ndërmarrje të industrisë së lehtë. Aty është prodhur gjithçka, nga kopertonat, gomardaret, shapkat e deri tek permistopat për linjat e naftës dhe të hidrocentraleve. Ndërmarrja u çel në një objekt të vogël e të ngushtë, me një e më pas me dy e tre makineri të një teknologjie të vjetër, por që u shfrytëzua me shumë kujdes nga specialistët. Fillesat e saj janë në qendër të qytetit të Durrësit dhe datojnë diku nga vitet 1937-1938 për të zgjeruar aktivitetin deri në ndarjen e Nish Gomës nga Plastika. Njëra pas tjetrës, në këtë ndërmarrje me aktivitet shumë të gjerë, u hapën linja të reja.
Vetëm në Shkozet janë 6.5 ha sipërfaqe e cila i është kushtuar tërësisht kësaj industrie me shumë efektivitet për kohën e regjimit të centralizuar në ekonominë shqiptare. Teknologjia në vitet e para të punishtes me pak reparte ishte italiane, ndërsa më pas, nisur edhe nga konjekturat politike të vendit, makineritë dhe teknologjia kanë qenë çeke, kineze, italiane e franceze. Sot nuk ka më asnjë linjë në proçes teknologjik. Makineritë janë shitur për skrap dhe godinat kanë mbetur të pashfytëzuara që prej 18 vitesh. Inxhinierë, teknikë, projektues por edhe punëtorë të kësaj ndërmarrje, tashmë të falimentuar e të shpërbërë plotësisht, mendojnë se Nish Goma me fare pak kujdes mund t’i mbijetonte ekonomisë së tregut duke futur teknologji moderne dhe mendësi të re në organizimin e punës.
Nish Goma
Historiku Nish Gomës nis në vitet ‘30 të shekullit të kaluar. Punishtja modeste, me një linjë prodhimi dhe me 15-20 të punësuar, u vendos në vendin që sot njihet si ish ndërtesa e ndërmarrjes së Gomës së Vjetër. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kjo ndërtesë ka shërbyer si vend komandë italiane e pushtimit, më pas pati po të njëjtin funksion kur erdhën pushtuesit gjermanë. Në të njëjtin vend u vendos misioni Anglo-Amerikan. Punishtja ka vijuar të jetë funksionale gjatë gjithë kësaj periudhe, ndonëse rendimenti ishte i vogël dhe nuk bëhej fjalë për të përmbushur detyrimet e tregut vendës të qytetit. Pasi misioni huaj anglez e amerikan la Shqipërinë, godina u bë objekt sekuestrimi. Pronarët legalë u persekutuan nga regjimi, ndërsa godina e shtetëzuar shërbeu si ndërtesa e drejtorisë së Nish Goma Durrës. Ky objekt edhe sot gjendet në lagjen numër 4 të qytetit, në anë të rrugës “Skënderbeu”. Për disa vite me rradhë ndërmarrja zgjeroi aktivitetin me linja të reja. Kjo ndikoi në rritjen e numrit të fuqisë punëtore, ndërkohë që makineritë dhe teknologjia njohu herë pas here rinovim. Për të zgjeruar aktivitetin si dhe për të hapur reparte të reja ndërmarrja i kushtoi kujdes të veçantë seksionit të projektimeve.
Sot është e vështirë të numërohen e të listohen llojet e artikujve dhe të asortimenteve të prodhuara në Nish Gomën e vjetër e të re. Specialistë të zyrës së projektimeve thonë se aty janë prodhuar më shumë se 150 artikuj, duke bërë të mundur përmbushjen e kërkesave për tregun vendas. Vetëm ndërmarrja e shërbimit të makinerive të rënda të ndërtimit ka pasur kontratë furnizimi nga Nish Goma për 120 artikuj si guarnicione të ndryshme, permistopa, goma të riveshura, guarnicione gominash motorri, guarnicione të tilla për zetorë e gaza 51, gomfort për rezistencë ndaj vajrave, permistopa vaji, permistopa uji etj. Ndërmarrja ka prodhuar një gamë shumë të gjerë artikujsh. Pikërisht për këtë arsye u pa e nevojshme zgjerimi i aktivitetit. Në të njëjtën godinë prodhoheshin edhe artikuj të plastikës. Rreth viteve '80, në pikun e prodhimit, ndërmarrja u nda. Në Shkozet ishin transferuar dhe hapur shumë reparte, punishte e linja, duke bërë që kjo zonë të njihej ndryshe edhe si zonë industriale.
Pikërisht këtu, fare pranë kryqëzimit të rrugës Ura Dajlanit-Nish Tulla me rrugën e Plepave është ndërtuar Nish Goma e re. Objektet e linjave të prodhimit, kapanonet, magazinat, punishtet, kaldajat, godina e administratës, repartet e riparimit të mjeteve e të tjera zunë një sipërfaqe prej 6.5 ha. Këtu puna niste në ora 7 të mëngjesit dhe vijonte pa ndërprerje, në 24 orë në pjesën më të madhe të reparteve. Sot objekti është rrënuar. Diku plotësisht e diku pjesërisht. Pas viteve 1978, me prishjen e marrëdhënieve politike e diplomatike me Kinën, byrosë së projektimit dhe drejtuesve të Nish Gomës u është dashur të mbijetojnë për shkak të izolimit edhe në ekonomi. Pjesët e këmbimit për makineritë u prodhuan të gjitha në vend, ndërsa u projektuan dhe u prodhuan edhe makineri të reja. Me ndarjen e ndërmarrjes, në Durrës, tek godina e vjetër, mbeti vetëm reparti i rripave, kurse të gjitha repartet e tjera u transferuan. Tek ndërmarrja e vjetër u prodhuan deri në vitet 1993 rripa transmisioni të të gjitha dimensioneve për zetora, skoda, tërlina, tatra dhe sektorë të ndryshëm të industrisë. Punëtorët e kualifikuar dhe specialistët e lanë ndërmarrjen një nga një duke marrë me vete përvojën disavjeçare dhe kujtimet për vitet e punës.
Prodhimi
Nish Goma ka pasur disa linja. Një pjesë nisën nga prodhimi në vitet '30 të shekullit XX. Me kalimin e viteve aty u hapen disa reparte. Repartet me më shumë peshë, në të cilat janë punësuar edhe numri më i madh i punëtorëve dhe specialistëve kanë qenë reparti i kalandrës për të rrahur brumin e gomës; linja e rripave trapezoidalë; linja e pandoflave, sheshoneve, atleteve; reparti i rripave, transportierëve; reparti i topave, gomardareve, çizmeve e të tjera. Në fillimet e saj teknologjia dhe makineritë ishin ato të viteve 1948-50, kryesisht çeke. Repartet e para janë hapur në vitet '50 duke e futur kështu ndërmarrjen në strukturën e zhvillimit industrial. Lënda e parë si brum gome, kauçuk, merrej jashtë vendit. Ndonëse cilësia nuk ishte e standarteve të kohës, ndërmarrja mundi të zgjerojë repartet dhe kapacitetet prodhuese. Përgjithësisht proçesi i prodhimit ishte manual, ndërsa linja e rripave trapezoidal ishte ndryshe për shkak të teknologjisë së re. Me ardhjen e linjës së re nga Italia, Simode, u rrit edhe standarti duke bërë të mundur ballafaqimin me prodhimet e importit.
Deri në vitet 1978, kohë që vendi ynë ndërpreu marrëdhëniet me Kinën, të gjitha makineritë vinin nga ky vend i largët. Klima e re politike, e cila përkoi me vetizolimin e plotë të Shqipërisë, i vendosi specialistët dhe inxhinierët e ndërmarrjes përpara alternativave shumë të vështira. Në një kohë të shkurtër u prodhuan 24-25 makineri të reja në NSHMN. Asokohe Nish Goma u bë edhe si vend i shpërndarjes së përvojës. Aty shërbenin specialistë, teknikë e inxhinierë që vinin nga rrethet e ndryshme. Ata qëndronin për disa muaj duke krijuar një traditë të re në shkëmbimin e përvojës. Pikërisht në këtë kohë u prodhuan makineritë e presave të kopertonave për biçikleta e makina, gomardare e të tjera. Zgjerimi i aktivitetit nxiti ndarje të njëpasnjëshme. Kështu fabrika e kopertonave do të kishte administratën e saj me përgjegjës, ekonomistë, teknologë, preventivues e të tjerë. Sektori i projektimit u ndesh me punë voluminoze për të mbuluar boshllëkun që solli ndërprerja e importit të makinerive, teknologjisë, pjesëve të këmbimit.Landpeshimi ishte linja më moderne që u fut në Nish Goma, e cila solli përmirësimin e teknologjisë.
Madje për të montuar dhe për të përgatitur ekipin e specialistëve shqiptarë, nga Italia erdhën një ekip i kualifikuar. Nish Goma nisi të prodhojë në vitet 1980, pikërisht në kohën e kalimit të saj në Shkozet, edhe copa të ndryshme speciale për veshjet kundër kimike, veshjet e peshkimit, pajisje të ndryshme për ushtrinë, të cilat ishin shumë cilësore. Ndërtimi i objekteve të reja për ndërmarrjen bëri të mundur shtimin e linjave. Në atë kohë nisën të prodhoheshin këpucët sportive dhe çizmet. Ardhja e presave suedeze dhe e presave për shojet e këpucëve ushtarake e rritën interesimin e tregut për prodhimet e Nish Gomës së Durrësit. Preset ishin të gjitha cilësore dhe konkuruese me tregun e importit për të njëjta asortimente. Specialistët thonë se për disa lloje prodhimesh mund të konkurohej lehtësisht kryesisht me prodhime rumune, bullgare, hungareze e çeke, ndërsa për të tjerat cilësia ishte larg konkurencës. Afrimi i viteve '90, kohë që përkoi me ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri, bëri të mundur që prodhimi vendas të afrohej me atë të huaj, kryesisht italian e francez. Një pjesë e projekteve të kohës mbetën në letër, pasi nuk patën fatin të zbatoheshin. Ashtu si pjesa tjetër e ekonomisë, edhe prodhimet e kësaj ndërmarrje nuk kishin mundësi të krahasoheshin me linjat e prodhimet e huaja. E rëndësishme për kohën nuk ishte kostoja e prodhimit për të cilën nuk është folur me gjuhën e shifrave për shumë vite.
Vetëm pas shfaqjes së krizës, e cila përkon me prishjen e marrëdhënieve me Kinën, u manifestua në mënyrë të hapur tendenca për të kursyer. Specialistët tregojnë se sasisë së avullit i përgjigjej një sasi prodhimi, por kjo analizë ka munguar përgjithësisht duke mos mundur të nxirrej një bilanc se sa është kostoja e të njëjtit mall të prodhuar në vendin tonë dhe jashtë vendit. Tendenca e asaj periudhe dhe orientimet kanë qenë që malli të prodhohej në vend dhe të shmangej importi pa pyetur dhe pa bërë llogari për koston. Ndërmarrja e Nish Gomës në Durrës dhe në Shkozet, në pikun e saj ka pasur rreth 2500 të punësuar së bashku me administratën. Puna ishte me orar të pandërprerë në 3 turne. Prodhimi u pakësua në vitet '90 për të pushuar përfundimisht në vitin 1994. Pikërisht në këtë periudhë nisi edhe importi i produkteve dhe artikujve të prodhuar deri asokohe në Nish Goma, ndërkohë që ndërmarrja me një teknologji e makineri të vjetra nuk mundi të mbijetonte.