Qyteti bregdetar i Durrësit krahas zhvillimit të madh dhe mirëqenies ka edhe vatra të varfra. Njëra prej tyre është zona e Nish Tullës në lagjen numër 14, e shtrirë në anën periferike të qytetit, në kufi me komunën e Rrashbullit. Banorët e saj jetojnë jo më shumë se 5 km nga qendra e Durrësit, por në ndryshim nga pjesa tjetër qytetëse, varfëria dhe mjerimi këtu janë lehtësisht të shfaqura. Banorët thonë se nuk ka në Shqipëri lagje më të varfër dhe me më shumë probleme. Deri para viteve 1990 ata kanë jetuar me të ardhurat që siguronin në fabrikën e Nish Tullës, më e madhja në vend dhe me punët e tjera që bënin në shumë ndërmarrje në Shkozet.

Tani, kjo lagje e cila është më shumë se 10-fishuar në numrin e popullsisë, është fundosur në varfëri. Shkaqet janë të shumta. Banorët thonë se pushtetit qendror dhe ai lokal e kanë lënë pas dore. Aty mungon çdo gjë: punësimi, kanalizimet, higjena, infrastruktura rrugore, ndriçimi… Nuk ka punishte, fabrika, kombinate të vogla apo të mëdha. Njerëzit venë e vinë lart e poshtë gjithë ditën pa asnjë qëllim. Familjet këtu mbahen me ato pak ndihma që u sjellin emigrantët. Të tjerë punojnë në punë të zezë, ndërsa  familje të tëra gërmojnë për hekur në objektetet e shembura, apo mbledhin kanaçe. Gjatë 20 viteve prania e pushtetit këtu nuk është ndier. Nish Tulla sot është një geto me thuasje fare pak apo aspak ndryshim nga lagje e zona të Botës së Tretë.

Fabrika

Nish Tulla shtrihet jo më shumë se 5-6 km larg nga qendra e qytetit të Durrësit dhe është pika kufitare e saj me komunën e Rrashbullit. Lagjia, që sot numëron afro 20 mijë banorë, e ka marrë emërtimin Nish Tulla në periudhën e regjimit të Zogut. Në këtë kohë, sipas banorëve të hershëm dhe vendës të lagjes skajore, është ndërtuar fabrika e tullave dhe tjegullave. Kjo madje është koha e përhapjes së emrit të lagjes në të gjithë Shqipërinë. Bashkim Troplini, 71 vjeç, familja e të cilit jeton prej disa brezash këtu, në vizën ndarëse mes Nish Tullës dhe Rrashbullit, tregon se lagjia është formuar pikërisht në kohën e ndërtimit të fabrikës. Fillimisht, këtu ku sot është krijuar një liqen me një sipërfaqe jo shumë të vogël, ka qenë kodër. Dy vëllezërit Hasasjani, në kohën e mbretit Zog kanë blerë tokën tek Riza Troplini duke sjellë nga Italia edhe makineritë për fabrikën. Me të nisur prodhimi i tullave dhe i tjegullave në këtë fabrikë, pronarët e saj menduan edhe për vulën e cila shërbente si stampë në çdo prodhim. Linja, ndonëse me një teknologji të vjetër ka shërbyer si e tillë për disa dekada. Procesi teknologjik mbikqyrej nga disa italianë, të cilët u larguan pas viteve '40 nga Shqipëria, duke ua lënë në dorë sipërmarrësve Hasasjani.

Aty janë prodhuar tjegulla marçineze, më të mirat në vend, ndërsa mbanin stampën me mbishkrimin “Vëllezërit Hasasjani”. Rrëfyesi, Bashkimi, që është nipi i Xhemal Troplinit (vëllait të Riza Troplinit, personit që u shiti vëllezërve Hasasjani tokën për të ndërtuar fabrikën), thotë se prodhimi ishte i mbarë dhe në pak kohë emri i mirë i fabrikës u përhap gjithandej. Nga e gjithë Shqipëria vinin porositë, kurse puna sa vinte e shtohej. Kjo ndikoi edhe në popullimin gradual të zonës. Bashkim Troplini, nisur edhe nga rrëfimet e të atit e të gjyshit, thotë se banorët e parë që janë vendosur në Nish Tulla në kohën e Zogut janë disa familje çame, tre-katër shtëpi kosovare,  familja e Muharrem Hoxha (djali i Dasho Hoxhës) nga Jugu, familja Lika, Bari Arapi (pjekës furrash). Në ato kohë, sipas pohimeve të një tjetër banori të zonës aty pranë, Hysni Mara, erdhën e u vendosën këtu vëllëzërit Osman e Ali Bodolli nga Kosova, kurse familje të tëra me ngjyrë ndërtuan strehën e tyre.

Një nga një, banesat familjare nisën të shtohen dhe lagjia zuri të rritet me banorë të rinj nga Golloborda e Dibrës si mjeshtër e ustallarë me zë. Për shkak se fabrika hapi shumë vende pune, zona në fjalë u lakmua edhe nga banorë aty afër si Rrashbulli e Shën Vlashi, të cilët ndërtuan shtëpitë e tyre në Nish Tullë. Fabrika zuri një sipërfaqe prej 25 dynym. Fillimisht ishte kodër e madhe dhe pasi analizat e argjilës dolën shumë cilësore, nisi edhe gërmimi për lëndën e parë. Vit pas viti gropa sa vinte e zmadhohej, aq sa sot fare pak njerëz e besojnë se ky liqen më parë ka qenë kodër. Jo shumë larg por 50 vite më parë. Banorët kujtojnë se aty kanë punuar më shumë se 1100 punëtorë dhe punonjës të administratës. Bashkim Troplini tregon se punohej me tre turne. “Punohej pa ndërprerje, ditë e natë, në dimër e në verë”,- thotë Troplini. Ai tregon se toka ishte qind për qind argjilë. Me vendosjen e regjimit komunist u bënë të gjitha përpjekjet për ta zgjeruar fabrikën, duke bërë gërmime edhe në anën tjetër të kodrës me mendimin se argjila do të ishte edhe atje cilësore. “Gjyshi dhe baba, si dhe disa të afërmit tanë, kanë jetuar me frikë për disa kohë pasi u rrezikohej shembja shtëpive nëse do të dilte dheu i mirë për tulla e tjegulla”,- kujton Bashkimi. Troplinët janë shpërngulur në kohën e sundimit turk nga Romanati, zona kufitare e Durrësit me Tiranën.

Shtëpitë e tyre shpëtuan pa u prishur pasi argjila nuk ishte cilësore, ndërsa 25 dynym tokë të zënë nga fabrika, sot janë nën pushtetin e ujit. Aty ka qenë ndërtuar një fabrikë tjegullash dhe dy fabrika tullash, të cilat sot kanë vetëm fare pak gjurmë për të kujtuar kohën e shfrytëzimit. Në vitin 1981 dheu në Nish Tulla mbaroi e së bashku me të pushoi së punuari fabrika. Pajisjet e makineritë u transferuan për në Currila, ku edhe u hap fabrika e re. Edhe punëtorët e specialistët u transferuan duke punuar përsëri me tre turne në Currila. Pas viteve 1990 aktiviteti pushoi, punëtorët një nga një u larguan, ndërsa gropa e Nish Tullës nisi të mbushej me ujë dhe me mbeturina. Pas rënies së komunizmit, përfaqësues të klerit musliman, kanë kërkuar të bëjnë rikonstruksionin e xhamisë Fatih. Ata e dinin se ndihma e vetme mund të ishin vëllezërit Troplini. “Telefonova vëllanë që ishte në Itali e i bëra të qartë kërkesën e komunitetit musliman. Ai më tha se po të jetë për xhami t’u jepet falas tjegull për tjegull, të gjitha, pa asnjë lekë dhe pa asnjë lloj shpërblimi tjetër. Kështu bëmë. Mbushëm tre kamionë tjegulla vendi të prerë në fabrikë dhe ua dhamë”,- tregon Bashkimi. Ai thotë se 25 dynym tokë, që tani është nën këtë liqen të krijuar nga gropa e madhe, vazhdon të mos u kompensohet. Janë katër vëllezër e një motër që presin prej 18 vitesh.

Varfëria

Mjafton të qëndrosh vetëm një ditë në Nish Tulla për të mësuar se sa të varfër janë familjet e atyshme. Të dy anët e rrugës janë plot me banorë të të gjitha moshave. Ecin poshtë e lartë, grupe-grupe. Të gjithë kanë një hall, janë të papunë, janë të varfër. Edhe në lokale bëhen të njëjta biseda. Zona e Nish Tullës është populluar pas viteve 1990. Fillimisht erdhën të shpërngulur nga Librazhdi, Kukësi, Tropoja, Hasi, Mirëdita dhe më pak nga zona të tjera. Hysni Mara, mësues në pension, e njeh shumë mirë këtë lagje, së paku prej 55-60 vitesh. “Banorët jetonin me të ardhurat nga puna në fabrikë apo edhe në kombinatet, fabrikat, punishtet e lagjes industriale të Shkozetit”,- thotë Mara. Tani gjërat janë krejt tjetër. Nuk ka mbetur në këmbë asgjë nga ajo e kaluar jo shumë e largët. “Fabrika kishte më shumë se 1100 të punësuar dhe me tullat e tjegullat kanë mbajtur frymën më shumë se 70 përqind e lagjes”,- thotë mësuesi Mara. Ai kujton se në atë kohë në Nish Tulla banorët hanin bukë gruri, ndërsa fshati tij, që është vetëm 1 km më tej, ushqehej me bukë misri.

“Të haje bukë gruri në atë kohë do të thoshte të jetoje më mirë, ndërsa tani gjërat janë krejt ndryshe. Banorët këtu janë varfëruar shumë, aq sa nuk thuhet. Nuk ka punë dhe shteti u ka kthyer krahët”,- tregon Mara. Mësuesi në pension tani banon në këtë lagje dhe i njeh nga afër shqetësimet. “Këtu të mbyt pluhuri, balta, era e keqe e kanaleve të ujrave të zeza, nuk ka kosha për mbeturina, nuk ka vënë njeri dorë për lagjen”,- thotë ai. Banorëve u duhet të ecin deri në 500 m për të gjetur një kontenier mbeturinash. Nga ana tjetër banorëve nuk u shërbehet në zyrat e bashkisë nëse nuk paguajnë detyrimet. “Për të marrë një çertifikatë duhet të paguash të gjitha taksat edhe pse nuk ka asnjë lloj shërbimi për atë taksë që të mbahet”,- tregon Mara. Nish Tulla nuk është ajo e para viteve 1990. Lagjia dikur e vogël e me pak familje kishte një ushqimore dhe një klub, ndërsa tani lokalet e shërbimit janë shtuar. “Nëse kemi shumë lokale, bilardo, lojra fati, kjo nuk tregon se është rritur mirëqenia.

Ajo për të cilën ka nevojë ky komunitet është hapja e vendeve të punës, ndërtimi punishteve, linjave të prodhimit, kombinatëve e fabrikave. Vetëm kështu mund të dalë nga kjo gjendje shumë e vështirë”,- thotë Mara. Më tej ai shton se të jetosh në Nish Tulla është një sakrificë e madhe. Njerëzit këtu jetojnë me punë në sektorin e ndërtimit, me pak tregti apo edhe duke grumbulluar hekur në objektet e mbetura nga koha e para viteve '90. “Shumë familje kanë jetuar me hekurin që e kanë nxjerrë nga prishja e magazinave dhe kapanoneve të vjetra, por edhe ato tani janë në të mbaruar”,- thekson Mara. Zona nuk ka asnjë lloj plani zhvillimi të afërt apo të largët. Me sakrificat e veta, dikush ka ndërtuar një rrobaqepësi a punishte të përpunimit të bimëve medicinale, dikush tjetër një punishte mermeri, apo të tjerë në hapjen e ndonjë aktiviteti të vogël sa për të mbijetuar. Papunësia në Nish Tulla është shumë e madhe, ndoshta në shifrat më të larta në shkallë vendi. Edhe ata që janë të punësuar nuk janë të siguruar duke mos pasur të garantuar as shëndetin dhe as të ardhmen. 

Gazmir Kabashi: Punoj në serë, mbaj familjen

Njëzet bashkëpronarë kanë mundur të investojnë për të mbijetuar. Gazmir Kabashi është një nga pronarët që ka 1.5 dynym në serën e madhe këtu në Nish Tulla. Kabashi tregon se e gjithë sera është 3 ha dhe po aq hektarë ishte edhe një tjetër afër saj, por që u prish pasi toka e saj u shit për ndërtimin e shtëpive. “Në këtë serë shërbej me familjen time. Nuk është se fitojmë, por me të ardhurat që sigurojmë aty mbajmë familjen”,- tregon Kabashi. Sera ka edhe një kaldajë por ajo nuk është ndezur, pasi solari është 50 lekë për litër dhe në një orë, për ta ngrohur serën, pronarëve u duhen jo më pak se 500 litra. Kabashi tregon se e kanë të pamundur të shpenzojnë për kaldajën, pasi nuk përballojnë dot shpenzimet. “Mbjellim domate, tranguj e sallatë. Këto janë kolturat tona në 12 muajt e vitit”,- shprehet ai. Nuk kanë ndonjë mbështetje në farëra apo plehëra. Vet madje bëjnë edhe punën e specialistit, ndërsa jo pak kohë shpenzojnë për të gjetur tregun e shitjes. Shpenzimet për të mbajtur serën janë të konsiderueshme, pasi veç mirëmbajtjes u duhet të blejnë DAP, superfosfat, helme, ambalazhe, xhama e të tjera. Megjithatë Kabashi thotë se është i kënaqur. “Jetojmë mirë. Nuk është se vëmë mënjanë ndonjë lekë, por mjafton që nuk shtrijmë dorën dhe se jetojmë me djersën tonë”,- tregon ai.


 


 

Skënder Guri: Na mbytën plehrat

Skënder Guri, banor në Nish Tulla ka një sërë ankesash. Ashtu si ai edhe banorët e tjerë ankohen duke thënë se jeta në Nish Tulla është thuajse e pamundur. Para banesave dhe shtëpive të familjeve hidhen mbeturinat e tregut me shumicë të frutave e perimeve. Guri tregon se plehrat në orët e natës digjen në natyrë, duke ndotur ajrin aq sa e kanë të pamundur të hapin dyer e dritare.  Askush nuk u ka dëgjuar zërin e ankesës. Nga fillimi e deri në fund të lagjes nuk është hedhur në 20 vite asnjë lopatë me zhavorr, çakëll apo dhe për të mbuluar gropat e mëdha. “Kjo është lagjia më e varfër që mund të gjesh në Shqipëri”,- thotë 60-vjeçari Guri, banori i lindur e i rritur këtu. Madje ai shkon edhe më tej duke pohuar se “As në Afganistan nuk gjen lagje më të rrënuar, më të vuajtur, më pa shpresë”. Ai ka edhe një lokal në anë të rrugës, pranë tregut. Por për Gurin çdo gjë ka mbaruar. “Paguaj taksë pastrimi, taksë gjelbërimi, taksë ndriçimi dhe kanalizimesh, por nuk kemi asnjë lloj shërbimi për asnjërën prej tyre”,- thotë Guri.



 

Përparim Brati: Shteti na thotë “Pse keni shkuar tek jevgjit?”

Problemet këtu nuk kanë të mbaruar. E gjithë lagjia nuk ka kanalizime. Asgjë, asgjë këtu nuk funksionon, nuk ndihet fare shteti. Pluhur në verë, baltë në dimër. Në ditë me reshje, në pjesën më të madhe të shtëpive këtu, uji futet në të gjitha dhomat dhe shkon deri në 50 centimetra. Nuk ka ndodhur një herë që të investohet për kanalizime, ndërsa nuk bëhet fjalë për dëmshpërblime. Njerëzit, kryesisht ata me ngjyrë që janë të shumtë në këtë lagje, jetojnë si mos më keq, në baraka e magazina, pa drita e pa ujë të pijshëm. Janë dhjetra familje që nuk e kanë të siguruar bukën për të nesërmen. Shumë fëmijë nuk shkojnë fare në shkollë, pasi u duhet të lypin për bukën e gojës. Ne këtu na quajnë si banorë të kategorisë së përbuzur. Sa herë që ankohemi na thonë “Çfarë ke dashur që ke shkuar e je futur në mes të jevgjëve”. Dhe këta që flasin kështu janë shteti e jo njerëz dosido.



 

Gëzim Abazi: Të gjithë fëmijët lypin

Prindërit rom shpeshherë detyrohen të nxjerrin fëmijët e tyre për të lypur, pasi e shikojnë se kjo është e vetmja mënyrë për të siguruar sadopak të ardhura për të mbajtur frymën gjallë. Jetojnë në baraka të ngritura vetë ose të sistemuara pranë rrënojave të godinave të braktisura. Kërkimi nëpër kazanët e plehrave apo nxjerrja e skrapit nga godinat e prishura u sigurojnë sadopak të ardhura të tjera. Këto familje gdhijnë dhe ngrysin ditët duke shpresuar që të mbushin të paktën barkun me bukë. Gëzim Abazi është anëtar i këtij komuniteti dhe ashtu si shumë të tjerë nxjerr pesë fëmijët e tij për të lypur në shëtitoren “Taulantia”.

 

Jetoni në Nish Tulla. Me se e siguroni bukën e gojës?

Këtu jam lindur dhe këtu jam rritur. Në Nish Tulla ka banuar babai im, edhe unë me fëmijët jetoj në Nish Tulla. Jemi shumë familje rome. Të gjithë jemi në baraka. Fare pak, aty në të hyrë të lagjes banojnë në pallat. Bëjmë jetë të keqe si babai ynë, edhe ne, edhe fëmijët tanë. Ja shiko vetë. Të zhveshur. Të rreckosur. Futu brenda e shiko barakën time. Kjo është dhomë për të fjetur, kjo për të ngrënë e për të pirë. Ja, 15 metra katrorë e gjithë baraka. Një nga këmbët e një nga koka. Apo nuk kemi edhe shumë kalamaj ne. Ç’të bëjmë? Kur bie shi nuk afrohesh dot këtu. Baltë dynjaja. Shiu futet brenda, era e të ftohtët na thajnë gjithë dimrin. Sëmuremi, vdesim. Se mos pyet njeri për ne. Me se e sigurojmë bukën e gojës? Duke lypur. Kam pesë fëmijë. Të gjithë i kam nxjerrë atje tek Vollga në Durrës. Njëri andej, tjetri këndej. Shkojnë dy e nga dy bashkë. I mbledhin lekët dhe i sjellin. Njëri fiton 30, 40, 50 lekë. Tjetri më shumë, tjetri më pak. Si të jetë. Kështu na erdhi jeta, tani duhet të ushqehemi. Hallexhinj lindëm e hallexhinj po vdesim.

Fëmijët i dërgoni ju apo shkojnë vetë?

Tanimë janë rritur dy djemtë dhe ata marrin të vegjlit e dalin të gjithë bashkë. Më përpara shkoja vetë. I merrja përdore dhe njërin e lija tek lulishtja, tjetrin tek shkallët e pallatit, një tjetër e fusja në lokalet e qytetit. Kështu bëja. Tani unë dal dhe kërkoj mos gjej ndonjë magazinë për të thyer beton e për të nxjerrë hekur. Me hekur e duke lypur jetojmë. Me asgjë tjetër.

Keni punuar më parë?

Po, këtu në Nish Tulla. Të gjithë ishim në punë. Fukarallëk edhe atëherë, por një copë bukë thatë e kishim. Tani një zot e di e fitojmë a s’e fitojmë bukën. U mbyll fabrika, dolëm të papunë. Të gjithë ikën. Ne nuk kishim ku të mbyteshim. Dalin të gjithë fëmijët për të lypur dhe lekët që grumbullojnë nuk dalin për të blerë bukë. Të lënë të vdesësh, po nuk fitove vetë. Unë nuk kam punë. Nuk gjendet më hekur. Mbaroi. Tani vetëm çfarë të sjellin fëmijët.

Pse vetëm tek Vollga e jo diku tjetër?

Janë bërë shumë lypsarë. Atje tek Vollga shkojnë njerëzit që dalin për qejf dhe prej atyre kemi shpresë se mos na falin ndonjë lekë. Atje shkojnë edhe turistët. Nuk ka vend tjetër. Tani janë pak njerëz që falin lekë. Edhe nuk kanë faj se u bënë shumë që lypin. Të gjitha vendet janë të zëna. Janë hallexhinj si ne. Të bëjmë fjalë pse ti e pse unë këtu? Ja bëmë fjalë e çfarë pastaj? Pesë fëmijët a më sjellin a s’më sjellin 5 mijë lekë të vjetra. Të gjithë fëmijët e kësaj lagje, ku jetojmë ne, lypin. Të gjithë për gojën e vet. Kështu jetojmë. Gërmo hekur, lyp në rrugë.

Keni përfituar ndihma apo jo?

Kemi marrë gjithsej 3-4 herë ca pako me ushqime. E nisën mirë, por na e ndërprenë. Na gënjejnë. Vijnë na shohin, na thonë se do të bëjmë këtë e do të bëjmë atë. Ikin dhe nuk kthehen më. Për çapën e bukës të gjithë. Nuk mendon njeri për ne. Shyqyr zoti që kemi bërë këta fëmijë dhe na mbajnë gjallë duke lypur. Po të mos ishin ata, ne mbarojmë. Nuk të jep njeri lekë po të jesh i madh. Prandaj nxjerrim fëmijët. Nga halli e kemi. Se mos dua që gjithë ditën të lë fëmijët në rrugë. Apo i kemi të veshur. Të gjithë me lecka e rrecka. Të zbathur e të pangrënë. Kjo është jeta jonë. Të stërviten.


 

 

Mirela: Po të shkojnë fëmijët në shkollë ne vdesim për bukë

Mirela është një tjetër nënë e familjeve rome në Nish Tulla. Ajo pranon se fëmijët e tyre do të mbeten pas të tjerëve nëse nuk shkollohen, por tregon se e kanë të pamundur për t’i dërguar në shkollë. “Nëse fëmijët tanë do të shkojnë në shkollë, ne vdesim për bukën e gojës”,- thotë Mirela. Ajo zgjohet herët, më herët se të gjithë. Merr disa copa bukë i lyen me gjalp kutie apo me se mundet dhe i zgjon të gjithë. Ua jep bukën në dorë dhe i nxjerr nga dera. Njëri me këpucë e tjetri zbathur. Në autobus nga Nish Tulla e deri në qendër ata shkojnë pa lekë. Janë fëmijë dhe përgjithësisht faturinot nuk u kërkojnë biletë. Mirela tregon se i porosit të vegjlit të mos vjedhin dhe të mos shajnë njerëzit, edhe po nuk u dhanë lekë. “Kur vijnë në shtëpi, burri u kërkon hesap se mos janë ngacmuar me njeri apo mos kanë vjedhur gjë”,- thotë kjo grua.

Për shkollë as që bëhet fjalë. “Nuk kemi lekë t’u blejmë bukë e jo më libra, rroba, fletore. Ja këtu, tek kjo barakë afër nesh është një burrë i sëmurë. Është dora jonë, rom. Ndenji tre ditë me dhimbje. Nuk e merrte njeri në dorë se nuk kishte lekë. Pas tre ditësh e futën dhe e çanë, e operuan nga zorrët e i vunë zorrë plastike. E nxorrën nga spitali për të vdekur. Kjo vetëm pse nuk kishte lekë. E ju thoni të shkojnë fëmijët në shkollë. Para shkollës është buka e gojës, shëndeti. Sa herë i vë fëmijët në darkë pa bukë. Ku të kërkoj në lagje. Se mos ka ndonjë. Kështu jemi të gjithë. Fukaranë nuk e ndihmon njeri”.