Tiranë, 2 qershor 2014 – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi sot një takim të veçantë me anëtarin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe njëkohësisht Bashkëraportuesin e Komitetit për Shqipërinë, Jonathan Evans, i cili ndodhet në vendin tonë në kuadër të një vizite zyrtare.
Presidenti Nishani vlerësoi bashkëpunimin shumëvjeçar e mjaft të mirë të vendit tonë me Këshillin e Evropës, në drejtim të forcimit të demokracisë dhe të shtetit ligjor, e tanimë, në mbështetje të aspiratave të Shqipërisë për integrimin, sidomos në këtë etapë të rëndësishme të këtij procesi kur vendi ynë pret të marrë statusin e vendit kandidat.
Gjatë takimit, Kreu i Shtetit dhe Bashkëraportuesi Evans biseduan dhe ndanë mendime rreth luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformës në drejtësi, për të cilën Presidenti theksoi se duhet të jetë e pandalshme dhe gjithëpërfshirëse pa ndikimin apo influencën e politikës apo grupeve të tjera të interesit.
Në këtë aspekt Presidenti Nishani vuri në dukje se lufta kundër korrupsionit në radhët e gjyqësorit nuk ndihmohet aspak, përkundrazi dëmtohet nga retorikat dhe akuzat publike e kolektive që artikulohen rëndom ndaj anëtarëve të ndryshëm të gjyqësorit.
Në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Presidenti Nishani informoi zotin Evans mbi punën dhe arritjet e shënuara deri më tani duke shtuar se përpjekjet e KLD-së për rritjen e transparencës, integritetit dhe kapaciteteve profesionale në gjyqësor do të vazhdojnë pa u ndërprerë.
Presidenti Nishani duke përmendur dhe vlerësuar prezantimin e projektit të përbashkët të Bashkim Evropian dhe Këshillit të Evropës “Rritja e efiçencës së Drejtësisë në Shqipëri” para disa ditësh, e cilësoi atë si një hap i duhur dhe pozitiv në drejtim të suksesit të reformës në gjyqësor.
Bashkëbiseduesit u ndalën edhe në debatet dhe konfliktet e fundit institucionale mes mazhorancës dhe Kreut të Shtetit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë apo kompetencat kushtetuese të Presidentit, ku Presidenti Nishani shprehu bindjen se në Shqipëri ekzistojnë mekanizmat e duhur ligjore për zgjidhjen e këtyre konflikteve, duke përmendur Gjykatën Kushtetuese si një garantuese të përcaktimin dhe mbrojtjes së parimeve të ndarjes së pushteteve.
Presidenti Nishani dhe Bashkëraportuesi Evans nënvizuan edhe rëndësinë e përfshirjes së shoqërisë civile shqiptare në procesin e reformave duke vënë në dukje domosdoshmërinë për transparencë dhe përgjegjshmëri nga ana e të gjithë aktorëve të përfshirë në këtë sfidë të rëndësishme.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





