TIRANE – Reformat për integrimin e vendit, siguria rajonale dhe zgjedhjet e lira e demokratike kanë qenë në qendër të një mëngjesi pune që presidenti i vendit, Bujar Nishani mbajti sot me Ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi dhe Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të akredituar në vendin tonë. Gjatë takimit kreu i Shtetit vlerësoi arritjet e deritanishme të Shqipërisë dhe shprehu bindjen se institucionet, autoritetet dhe shoqëria shqiptare do të përqëndrohen në përmbushjen e kritereve të kërkuara nga Bashkimi Europian nëpërmjet përshpejtimit të reformave dhe përballimit të sfidave që lidhen me arritjen e tyre.

“Është detyra jonë që të miratojmë në Parlament tre ligjet e kërkuara nga Komisioni Evropian si kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian”,- theksoi Presidenti i Republikës, duke inkurajuar partitë politike që të gjejnë gjuhën e përbashkët në plotësimin e këtyre kërkesave.

Më tej, Presidenti Nishani shpalosi vizionin e tij për reformimin e drejtësisë bazuar në rritjen e besueshmërisë në sistemin gjyqësor, nëpërmjet zbatimit të procedurave transparente bazuar në meritë për vlerësimin dhe promovimin në karrierë të gjyqtarëve.

Kreu i Shtetit vlerësoi zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të pranuara nga të gjitha palët si një test për maturinë dhe funksionimin normal të demokracisë shqiptare dhe duke nënvizuar se pjekuria dhe përvoja e grumbulluar kanë shërbyer në krjimin e një infrastrukture ligjore dhe teknike efikase për zhvillimin e një procesi zgjedhor të standardeve evropiane, vuri në dukje se sfida e këtyre zgjedhjeve mbetet sjellja e përgjegjshme e faktorëve politikë para dhe pas zgjedhjeve.

Duke u ndalur në zhvillimet rajonale, Presidenti i Republikës siguroi Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian se politika e fqinjësisë së mirë, forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe nxitja e dialogut do të vazhdojnë të mbeten prioritete të politikës së jashtme të Shqipërisë si kushte themelore për një rajon në paqe dhe stabilitet, vendet e të cilit kanë si stimul të përbashkët integrimin euro-atlantik.

Politika rajonale, harmonia fetare, pranimi dhe respekti ndaj tjetrit dhe trashëgimia kulturore janë u përcaktuan si kontribute me vlerë që Shqipëria ndonëse një vend i vogël mund t’i ofrojë Bashkimit Evropian.

Duke shprehur bindjen se përkrah përkushtimit të vendit tonë në rrugën e reformave, partneriteti dhe bashkëpunimi i institucioneve dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian nuk do të mungojnë edhe në të ardhmen,

Presidenti Nishani shprehu një falenderim të veçantë edhe për Delegacionin e Bashkimit Evropian në Tiranë, Ambasadorin e Bashkimit Evropian dhe Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së në Shqipëri për kontributin e tyre në  mbarëvajtjen e procesit të integrimit.

Në ndërhyrjet e tyre, Ambasadori i Bashkimit Evropian dhe Ambasadorë të tjerë të pranishëm, pasi vlerësuan pikëpamjet e Presidentit Nishani për çështjet e mësipërme, vizionin e tij për reformën në drejtësi si dhe arritjet e rëndësishme të Shqipërisë në procesin e reformave, shprehën ndjeshmërinë e tyre për forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të standardeve evropiane, respektimin e të drejtave të njeriut dhe minoriteteve dhe inkurajuan Shqipërinë të vazhdojë të njëjtën politikë të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, e cila i shërben stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit.