TIRANË- Presidenti i Republikës Bujar Nishani, priti sot pasdite në ambientet e Presidencës trupin diplomatik të akredituar në Tiranë me rastin e Vitit të Ri 2013. Në fjalën përshëndetëse, Presidenti Nishani i falenderoi ambasadorët për bashkëpunimin e ngushtë në forcimin e marrëdhënieve miqësore mes Shqipërisë dhe vendeve që përfaqësojnë duke i siguruar për vullnetin e tij të palëkundur në thellimin e këtyre marrëdhënieve.

Nga ana tjetër kreu i shtetit shprehu angazhimin e tij për mbështetjen e klasës politike në vend me qëllim përmbushjen e kritereve europiane, por edhe zhvillimin e zgjedhjeve të pakontestueshme dhe demokratike. 

“Klasa politike duhet të dëshmojë marrjen përsipër të përgjegjësive. Për këtë kërkoj dhe do mbështes angazhimin e aktorëve për rezultate konkrete. Që nga përmbushja e BE për tre ligjet, por edhe për zgjedhjet të lira dhe të pakontestueshme për 23 qershorin”, theksoi Nishani. 

Kreu i shtetit duke e vënë theksin tek thellimi i marrëdhënieve të Shqipërisë me partnerët ndërkombëtarë nënvizoi sfidat e vendit në politikën rajonale, por edhe vijimin e mbështetjes së shtetit të Kosovës. Presidenti Nishani vlerësoi se fqinjësia nuk mund të zgjidhet, por në frymën e bashkëpunimit demokratik mund të bashkëjetohet në mënyrë normale. 

“Shqipëria e konsideron me përparësi afatgjatë ruajtjen e marrëdhënieve normale në rajon. Fqinjët nuk mund ti zgjedhësh, por mund të jetosh me harmoni nëse bashkëpunon me vlerat e demokracisë. Sot në Ballkanin Perëndimor pas diktaturës shoviniste po jetojmë në frymën e bashkëpunimit. Është fakt se e ardhmja e përbashkët e rajonit parashtron sfida të vërteta, që mund t’i zgjidhim vetëm së bashku”,- u shpreh  Nishani.

Në pritjen e organizuar nga Presidenti i Republikës ishin të pranishëm përveç trupit diplomatik, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryeministri Sali Berisha, ish-presidentë të Republikës, kryetarë të partive politike, si dhe personalitete të njohura në vendin tonë.