Tiranë, 7 maj 2014– Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi sot një takim me Ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s, rezidentë në Tiranë, me të cilët shkëmbeu mendime për disa zhvillime të kohëve të fundit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes në Shqipëri.
Në fjalën e tij, Presidenti Nishani u shpreh se ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë programin e qeverisë për reformat në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke synuar arritjen e një konsensusi sa më të gjerë, në interes të rritjes së sigurisë kombëtare dhe përmbushjes së detyrimeve ndaj Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe theksoi se mbetet i vendosur për të kontribuar, me të gjithë autoritetin që i jep ligji, që çështjet e sigurisë të trajtohen në përputhje me kushtetutën, ligjet dhe praktikat më të mira të vendeve të NATO-s, njofton zyra e shtypit e Presidencës.
Më tej, Presidenti, në cilësinë e Kreut të Shtetit dhe të Komandantit të Përgjithshëm, ndau disa shqetësime për transparencën e procesit, mungesën e konsultimeve paraprake me aktorët dhe faktorët e përfshirë, koherencën kushtetuese dhe me ligjet në fuqi, respektimin e parimit të kontrollit dhe balancës së pushteteve dhe ruajtjen nga politizimi për vendimmarrje strategjike, që kanë të bëjnë me tre projekt–ligje të përgatitura kohët e fundit, dhe konkretisht me projekt-ligjin “Për Pushtetet dhe Autoritetet e Drejtimit dhe Komandimit Strategjik të Forcave të Armatosura”, projekt-ligjin “Për Gradat dhe Karrierën Ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, si dhe projekt-ligjin “Për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes”.
Presidentit Nishani shprehu gjithashtu mendimin edhe për Projekt-Strukturën e Forcave të Armatosura”, duke vënë në dukje mangësi kritike për sa i përket procesit, edhe nga ana ligjore, i informoi Ambasadorët e pranishëm se në respekt të balancës së pushteteve të përcaktuara nga Kushtetuta, ia ka përcjellë këto mangësi ligjore të projekt-strukturës Kuvendit të Shqipërisë si autoriteti më i lartë për vendimmarrje ligjore.
Në përfundim, pasi paraqiti shkurtimisht vizionin e Tij për qasjen ndaj shqetësimeve të mësipërme, Kreu i Shtetit siguroi bashkëbiseduesit se ka vullnetin dhe vendosmërinë maksimale për të dhënë mbështetjen institucionale për çështjet e sigurisë kombëtare dhe të reformës së mbrojtjes dhe i ftoi të bëjnë pyetje, komente dhe të ndajnë eksperiencat e vendeve të tyre në fushat në fjalë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





