TIRANE– Presidenti Bujar Nishani, njëkohësisht kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ka dënuar sulmin ndaj gjyqtares Mirela Mishgjoni. Në mbledhjen e radhës së KLD-së, Nishani ka theksuar se askush nuk duhet të cënojë integritetin e gjyqtarëve.

“Akti ndaj gjyqtares së Vlorës është i papranueshëm. Askush nuk do të cënojë integritetin e gjyqtarëve të republikës, askush nuk do i shpëtojë drejtësisë”, është shprehur Nishani.

KLD-ja ka diskutuar sot për kandidaturat për kreun e Gjykatës së Tiranës. Me shumicë votash në krye të këtij institucioni është zgjedhur Fatri Islamaj, i cili ka qenë i komanduar prej disa muajsh. Gjatë votimit ai arriti të marrë 13 vota duke u zgjedhur zyrtarisht në krye të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës.

Krahas Islamajt, në garë për këtë post ishin edhe kandidatët Brunilda Kadi, gjyqtare në Tiranë dhe Petrit Kaja aktualisht inspektor në KLD. Për këtë të fundit, Besnik Imeraj, anëtari i KLD-së ka kërkuar skualifikimin, pasi nuk është gjyqtar dhe nuk mund të konkurojë.