TIRANE – Presidenti Bujar Nishani shprehet se Rezoluta çame është në të drejtën e plotë të këtij komuniteti,. Në një intervistë në emisionin “Fakt”, kreu i shtetit theksoi se çështja e pronave të komunitetit çam është një çështje që do zgjidhje. Lidhur me deklaratat e kryeministrit për dhënie të nënshtetësisë për të gjithë shqiptarët që nuk jetojnë brenda kufirit shtetëror, Nishani shprehet se Presidenti do të mbështesë çdo kërkesë të vullnetshme që do të vijë për marrjen e nënshtetësisë nga të gjithë shqiptarët, në momentin që hapësira ligjore krijohet. 

Cilin prej vendimeve deri më sot e keni marrë pa pëlqimin e shefit të mazhorancës?

Varet se cili është këndvështrimi juaj që thoni “pëlqimin e Shefit të mazhorancës”. Veprimet e Presidentit të Republikës duhet të jenë në radhë të parë në përputhje me Kushtetutën, duhet të jenë në respekt të plotë të integritetit të Institucionit të Presidentit të Republikës dhe duhet të shkojnë në harmoni me pritshmëritë e opinionit publik, padyshim në bashkëpunim me aktorët e tjerë, për sa kohë proceset janë të tilla që realizohen apo konkludohen përmes akteve, ku disa aktorë janë të përfshirë.  

Pyetja ime është fare e thjeshtë, në këto gjashtë muaj keni pasur ndonjë takim me liderin e opozitës? Dhe nëse nuk na rezulton nga takimet që keni pasur, mund të duket dhe retorike, por, a ka një agjendë për të takuar palët, për t’u konsultuar me palët? 

Meqë ju iu referuat opozitës, natyrisht në çastet e takimit me opozitën, opozita është përfaqësuar jo me Kryetarin e Partisë Socialiste, është përfaqësuar me Kryetarin e pakicës në Kuvend, pra, të Grupit Parlamentar, me zotin Ruçi. Absolutisht jam i hapur, jam i gatshëm dhe nuk ka asnjë kompleks apo dyzim për t’u takuar me zotin Rama. 

A mendoni se do të duhej një takim me Kreun e opozitës dhe me ftesën tuaj në njëfarë forme, dhe për t’u çertifikuar dhe për të dhënë njëfarë klime besimi nga ana juaj në drejtim të opozitës? 

Për të qenë më i drejtpërdrejtë ndoshta në konceptin tim, nëse flasim për çertifikim politik, unë nuk besoj që Presidenti i Republikës ka nevojë për një çertifikim politik të palëve. Në bindjen time personale, të cilën mundohem ta përkthej në veprimtari institucionale, predominon koncepti i mënyrës se si sillesh më tepër se si je zgjedhur në postin e Presidentit të Republikës. 

Në datën 28 nëntor, Edi Rama ka marrë pjesë në pritjen që ju shtruat në darkë, në Pallatin e Brigadave. Paksa nervoz, e shfaqi dhe të nesërmen. Por fillimisht të nesërmen ju shkuat tek Varrezat e Dëshmorëve për të nderuar të rënët e Luftës së Dytë Botërore dhe në datën 29 nëntor, gjë që nuk e keni bërë kur keni qenë ministër, që i keni nderuar ata në datë 28, siç e ka dhe qëndrimin Partia Demokratike. A shihni ndonjë kundërveprim të Edi Ramës për të sfumuar një veprim tuajin politik apo të dy ngjarjet janë të palidhura? 

Çështja e vajtjes sime në Varrezat e Dëshmorëve në kujtim të 29 nëntorit, si dita e përkujtimit të Luftës Antifashiste të shqiptarëve, ka qenë në bindjen time më të plotë, në respekt të ligjit pa diskutim, por dhe në respekt të sensibiliteteve të një pjese të madhe të shoqërisë sonë. Gjithsesi, kjo do të mbetet një sjellje e pandryshueshme institucionale e Presidentit të Republikës deri sa të përfundojë mandati.

Përpara se ju të shkonit President, pyetja është fare konkrete, zoti Berisha me ish-Shefin e Shërbimit, Kryeministri nuk ka pasur thuajse asnjë komunikim, pra, për aq kohë sa ka qenë Shef Shërbimi zoti Bahri Shaqiri. Pse Kryeministri menjëherë pas zgjedhjes së Bujar Nishanit, President i Republikës, ushtroi këtë të drejtë kushtetuese për të zgjedhur një Kryetar të Shërbimit, me të cilin ai mund të punojë? Dhe a ka pasur një marrëveshje paraprake ndërmjet jush, zotit Berisha apo zotit Meta, për këto ndryshime të drejtuesve të institucioneve kushtetuese? 

Përse e ka zgjedhur Kryeministri, këtë pyetje duhet t’ia adresoni Kryeministrit. Ndërsa për pjesën e dytë të pyetjes suaj, ju garantoj ju dhe opinionin publik që nuk ka pasur jo marrëveshje, por asnjë bisedë paraprake për çështje të tilla, absolutisht. Për më tepër që unë kam një eksperiencë të gjatë dhe në qenien si pjesë e kabinetit qeveritar, si ministër i një qeverie të caktuar, i një mazhorance të caktuar, nuk kam pasur kurrë në përvojën time kushte apo parakushte paraprake në mënyrën e ushtrimit të detyrës së institucionit.

Duke përjashtuar opozitën, është i vetmi institucion, i cili pranoi të kontaktonte me grevistët, zoti Nishani. Ekzekutivi e injoroi kërkesën e tyre për takim kategorikisht.

Unë mund të mbaj qëndrime për sjelljet e mia institucionale. 

Në parlamentin shqiptar është paraqitur një rezolutë, që është quajtur Rezoluta e Çështjes Çame, e zotit Idrizi, që unë e perceptoj që do të krijojë një debat shumë të madh sa i takon rizgjimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve në lidhje me të drejtën e tyre ndërkombëtare për të rivendikuar akte pronësie, rivendikuar sekuestro të pasurive të palëvizshme të shqiptarëve, të marra në ato territore në mënyrë abuzive në bazë të një ligji lufte, që mbahet artificialisht në këmbë akoma dhe sot. Nga ana tjetër, kam informacion që, Ambasadori i ardhshëm i Republikës së Greqisë, që do të jetë në Shqipëri dhe që ju dorëzoi kredencialet, ka qenë rreth tri vite Drejtor i Shërbimeve Sekrete greke. Bëra disa pyetje bashkë, thjesht në terrenin konkret, për të ditur a do të jetë Presidenti në rezonancë me kombin të tij në këto momente, që unë i konsideroj të rëndësishme, siç është momenti tjetër, premtimi publik që bëri Kryeministri sa u përket pasaportave për të gjithë shqiptarët. Keni vullnetin për të qenë figurë aktive dhe e rëndësishme, apo mund ta përdorni  Kushtetutën si një lloj perdeje për t’u fshehur ndonjëherë?

Çështja e nënshtetësisë: Presidenti i Republikës do të mbështesë çdo kërkesë të vullnetshme që do të vijë për marrjen e nënshtetësisë së Republikës së Shqipërisë nga të gjithë shqiptarët, në momentin që hapësira ligjore krijohet. 

Kemi një diskutim të PDIU-së për një rezolutë parlamentare lidhur me çështjen çame. Besoj që jeni njohur me draftin e kësaj rezolute dhe pyetja ime është: e konsideroni këtë nismë të gabuar, e konsideroni të drejtë, por në momentin e gabuar, apo e konsideroni edhe të drejtë, edhe në momentin e duhur? 

Absolutisht është një nismë në të drejtën e plotë e këtij komuniteti. Është një nismë e dërguar në momentin që ata e kanë gjykuar më të mundshëm për ta ndërmarrë. Nuk mundemi ne të gjykojmë për një iniciativë, që është e drejtë e individit apo e grupeve, si dhe nëse kanë gjetur momentin e përshtatshëm apo momentin e gabuar. Ajo që për mua është e rëndësishme ka të bëjë me faktin që çështja e pronave të komunitetit çam është një çështje që do zgjidhje. Është një çështje, e cila duhet adresuar. Përsa i takon përmbajtjes së rezolutës unë jam njohur përmes mediave, nuk kam pasur rastin ta shoh, por natyrisht është ajo që media ka, sepse media e ka përcjellë në mënyrë shumë serioze. Përsa i takon përmbajtjes natyrisht që si President i Republikës do të shoh me kujdes zhvillimet në Kuvendin e Shqipërisë.

Kemi përfaqësues të partisë që përfaqëson minoritetin grek kryesisht që para një viti i bëri thirrje elektoratit të vet bashkë me organizatën Omonia ta bojkotonin regjistrimin, dhe pas një viti deklarojnë që në atë rregjistrim morën pjesë vetëm 5 deri në 7% të atyre që janë prezent, minoritarë grekë dhe nëqoftëse dalin 24 mijë sipas censusit shumëzuar për 20, sipas këtij kryetari partie, zotit Dule pretendohet që ka 480 mijë grekë në Shqipëri.  Si ju duken këto deklarata?

Ajo që është e rëndësishme, është se ky census në gjykimin tim, në konkluzionin tim, është një procedurë tërësisht korrekte në metodikë, në zbatim dhe në paraqitje. 

Sot ju jeni Kryetar i Shtetit. Dje ju ishit palë dhe sigurisht që nuk mund të thonit që pala juaj nuk i ka bërë drejt zgjedhjet, por sot ju jeni Kryetar i Shtetit? A jeni ju dakord që nga ajo kohë e deri më sot këto zgjedhje kanë pasur këtë fytyrë dhe ç’mendoni se do të ndryshojë dhe a do të ndryshojë kjo fytyrë gjashtë muaj më pas?

Unë besoj plotësisht në një standard akoma më të mirë nga ai që kemi pasur, sepse janë evidente faktet e përmirësimit rrënjësisht të infrastrukturës sonë zgjedhore, duke filluar nga legjislacioni, tek listat e zgjedhësve, tek dokumentet e identifikimit, tek mënyra e numërimit të votave, tek transparenca. Ne ende mbetemi problem në kulturë dhe në mendësi për të pranuar rezultatin e zgjedhjeve.