TIRANË – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në mbyllje të vitit 2012, kur Shqipëria dhe shqiptarët kremtuan madhërishëm 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, nderoi lart veprën e shquar dhe kontributin e disa personaliteteve të artit, kulturës dhe sportit shqiptar.

Ceremonia zyrtare e rastit u organizua në kuadër të një takimi me përfaqësues të shumtë të artit, kulturës dhe sportit, ku Presidenti Nishani shprehu urimet më të mira e të përzemërta për të pranishmit në veprimtari, gjithashtu dhe mirënjohjen për punën dhe veprimtarinë e gjithsecilit prej tyre në shërbim të kombit, të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar, për zhvillimin dhe trashëgimin e vlerave më të mira të artit, kulturës dhe sportit shqiptar.

Duke i konsideruar viganë të kombit shqiptar dhe elitën reale të kombit dhe vendit, Presidenti Nishani theksoi se arritjet dhe vepra e këtyre personaliteteve i përket të gjithë kombit.

“Ju, krahasuar me të gjithë qytetarët e tjerë të këtij vendi dhe me të gjithë shqiptarët kudo jetojnë, keni një veçori, e cila ka të bëjë me veprën tuaj, me kontributin tuaj. Arritjet dhe vepra juaj nuk ju përkasin vetëm ju, ato i përkasin gjithë kombit, ato i përkasin gjithë shqiptarëve, por, fatmirësisht i përkasin të gjithë kohërave dhe atyre që vijnë, prandaj ato janë një pasuri e madhe kombëtare. Ndaj, unë jam shumë i privilegjuar që, në emër të të gjithë qytetarëve shqiptarë, por jam i bindur që përcjell të gjithë ndjesitë, respektin e të gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë, mundësinë për t’ju thënë faleminderit! Falemnderit është një fjalë e vetme, një shprehje e sinqertë, por që mbart në vetë një respekt shumë të madh, që jo çdokush ka mundësinë ta thotë këtu, përballë jush, por ja që unë pata fatin të emër të të gjithë atyre që dëshirojnë t’ua thonë, t’jua përcjellin. Për këtë jam krenar”, u shpreh Presidenti Nishani.

Të dekoruarit

 

1 – Loro Boriçi (pas vdekjes) me Urdhrin “Nder i Kombit”, me motivacionin: “Me përkushtim të rrallë, duke e konsideruar sportin si një mision jetik për t’i shërbyer Shqipërisë me talentin e tij të rrallë, ai ishte dhe mbetet ikona e futbollit shqiptar.”

2 – Prokop Mima (pas vdekjes) me Urdhrin “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Njëri nga themeluesit e Teatrit Kombëtar, i cili vuri talentin, kulturën e diksionin e tij të përsosur në shërbim të artit skenik dhe të teatrit shqiptar duke simbolizuar shprehjen e një mjeshtrie interpretuese të pashoqe.”

3 – Zotin Mihallaq Luarasi me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Mjeshtrit të palodhur i teatrit, i cili nuk u tërhoq as përballë dhunës së diktaturës duke e përdorur artin skenik si tribunën prej nga duhet të ushtojnë të vërteta dhe vlera universale”.

4 – Zotin Kolec Topalli me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Në saje të vullnetit për t’i shërbyer me përkushtim studimit të gjuhës sonë, i ka çuar më tej dhe i ka ngritur edhe më lart studimet në fushën e gjuhësisë, me thjeshtësinë dhe vetëdijen e një shkencëtari të mirëfilltë.”

5 – Zotin Rikard Ljarja me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Me larminë e interpretimeve të tij të përkryera, sidomos në kinematografi, ai është shndërruar në njërin nga aktorët më të adhuruar e mbresëlënës të filmit shqiptar dhe skenave teatrore.”

6 – Zotin Fatos Kongoli me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Shkrimtarit që trajton me mjeshtri anë të ndryshme të jetës sonë shoqërore. Veprat e tij me nivel të lartë letrar, të përkthyera edhe në gjuhë të huaja, kanë pasuruar botën e krijimtarisë letrare shqiptare.”

7 – Zonjën Justina Alia me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Aktores dhe këngëtares së talentuar, e cila në saje të pasionit dhe forcës shpërthyese interpretuese shkëlqeu në skenën artistike shqiptare si një meteor i shndritshëm.”

8 – Zotin Alush Shima me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Mjeshtrit virtuoz të penelit dhe shpërthimit të ngjyrave të gjalla, i cili rindërtoi në kanavacë realitetin e tij pamor duke i shpalosur mbarë botës një Shqipëri krejt ndryshe nga ajo e realizmit socialist.”

 9 – Zotin Visar Zhiti me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Poetit, prozatorit dhe publicistit, i cili me sinqeritetin e rrëfimit dhe me forcën e shprehjes artistike shquhet për dhuntinë e fjalës, duke u bërë një nga përfaqësuesit më të shquar të letërsisë shqiptare brenda dhe jashtë vendit.”