TIRANË, 5 shtator 2013 – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekoroi, më 4 shtator 2013, Xhovani Kozini (Giovanni Cosini) me titullin e nderit “Për merita të veçanta civile” me motivacion “Për ndjenjë të lartë solidariteti dhe humanizmi”. Xhovani Kozini është komandanti i anijes turistike italiane “Costa Voyager”, kompania e së cilës e ka selinë në Gjenova. Kjo kroçerë u shpëtoi jetën dy peshkatarëve vlonjatë, të cilët rrezikonin të mbyteshin në det në 29-30 mars 2013. Me këtë rast, Nishani tha: “Ndoshta nuk është koincidencë që jeta e dy qytetarëve shqiptarë u shpëtua pikërisht nga një kapiten, nga një qytetar i një vendi mik, me të cilin na bashkon një det, me të cilin na bashkon një miqësi, një vend i cili gjatë dy dekadave të fundit e ka ndihmuar dhe ka qenë aq pranë Shqipërisë dhe shqiptarëve”. Duke shprehur falënderimin dhe duke premtuar se do ta mbajë në uniformë gjatë gjithë jetës titullin e nderit që iu akordua, kapiten Kozini theksoi se shpëtimi i jetës të dy shtetasve shqiptarë u bë i mundur nga i gjithë ekuipazhi i anijes “Costa Voyager” duke respektuar atë parim që jeta e njeriut është më e çmuara dhe kapërcen çdo lloj norme dhe ligji ndërkombëtar. Në ceremoninë e dekorimit morën pjesë edhe Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami dhe Ambasadori i Italisë, Massimo Gaiani. Shtypi italian i kushtoi vëmendje dekorimit.

Ngjarja

Më 30 mars 2013, anija turistike po vinte në portin e Durrësit për të çelur sezonin turistik të kroçerave, kur gjeti lundërtarët e drobitur pak milje larg bregut. Operacioni i shpëtimit u përcoll me entuziazëm nga turistët dhe banorët që kishin dalë për t’i pritur. Komandanti i anijes Xhovani Kozini (Giovanni Cosini) tha se peshkatarët u gjetën 12 milje nga Porti i Durrësit dhe menjëherë anija turistike u përfshi në një operacion humanitar, të cilin e përshëndetën të gjithë udhëtarët, sepse jeta në det është përparësi kryesore. “Njoftuam kapitanerinë e portit shqiptar se kemi gjetur njerëz në rrezik. Operacioni i shpëtimit nuk zgjati më shumë se 5 minuta. I nxorëm peshkatarët nga deti në një gjendje shumë të rëndë dhe u kujdesëm menjëherë për ta. Shpëtimi i dy peshkatarëve në det i kushtoi anijes vetëm një vonesë 20 minuta nga oraret e parashikuara. Shëndeti i tyre është i mirë tani, por mungesa e telefonave ua kishte vështirësuar komunikimin me autoritetet portuale gjithë natën”, tha Kozini. Së bashku me bashkëshortin, Eliana nga Provanca pranë Marsejës po e feston ditëlindjen në Durrës. Ajo thotë se është e lumtur që mori lule për ditëlindje këtu në Durrës, ku hynë duke shpëtuar dy shqiptarë nga vdekja. Ndërkohë, ushtria shqiptare, ndonëse vuri në dispozicion një anije patrullimi dhe një helikopter francez “Cougar”, nuk mundi të bëjë dot asgjë ditën e 29 dhe natën e 30 marsit 2013. Fati i shqiptarëve Gëzim Bashllari dhe Fatmir Ismailaj që të shpëtoheshin nga një kroçierë. “Costa Voyager” me 761 udhëtarë francezë dhe italianë shpëtoi dy peshkatarë shqiptarë, që kishin humbur në det prej 24 orësh nga gjiri i Vlorës.

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/