DURRËS, 23 nëntor 2013 – Edhe pse më 30 tetor 2013 Ministri i Drejtësisë Nasip Naço ka publikuar në sajtin e dikasterit “Stop Korrupsionit në drejtësi” denoncimin se “një nga disa gjyqtarë të korruptuar në qytetin tonë, është Petrit Çeno, kryetari i Gjykatës së Apelit Durrës” dhe se “gjyqtarë të tillë nuk duhet të ekzistojnë fare në sistemin e drejtësisë, dhe jo më të ngrihen në funksione më të larta, si ajo që është propozuar së fundmi si kandidat për gjyqtar në Gjykatën e Lartë”, ka ndodhur çudia. Kreu i Apelit të Durrësit Petrit Çeno, me dëshirën e durrsakut president të Republikës Bujar Nishani ngjit shkallët e karrierës drejt Gjykatës së Lartë. Me dekretin Nr. 8395, datë 22 nëntor 2013 “Për emërimin e anëtarit të Gjykatës së Lartë”, kreu i shtetit Bujar Nishani ka emëruar kryetarin e Gjykatës së Apelit të Durrësit Petrit Çeno si anëtar të Gjykatës së Lartë. Ministri Nasip Naço është anëtar i KLD-së, Presidenti i Republikës Bujar Nishani është kreu i KLD-së dhe nuk dihet nëse i kanë verifikuar disa akuza ndaj Çenos dhe gjyqtarëve të Shkozetit (selia e gjykatës së apelit Durrës).
ARGUMENTET
Natyrisht, presidenti kërkon t’u mbushë mendjen ligjvënësve të shumicës parlamentare se vendimin e tij e ka marrë “pas realizimit të një procesi të rregullt ligjor të përzgjedhjes së kandidaturave për anëtar.” Nishani thotë se “më datë 10 tetor 2013 u bë njoftimi publik mbi fillimin e procedurave për përzgjedhjen e kandidatëve. Pas këtij njoftimi, dhe me përfundimin e afatit të caktuar (21 tetor 2013) për paraqitjen e kërkesave dhe dokumentacionit përkatës, brenda një jave (në 28 tetor 2013) u bë publike lista e kandidatëve të cilët plotësonin kushtet të përcaktuara”. Madje, kreu i shtetit thotë se përpara se të vendoste mbi dekretimin për emërimin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, së bashku me kryetarët e grupeve parlamentare në Kuvend, u bënë konsultime. Presidenti Republikës argumenton “përvojën dhe vjetërsinë në profesion të kandidatit Petrit Çeno, i cili vjen nga radhët e gjyqësorit me një eksperiencë mbi 21 vjeçare, nga të cilat për 6 vjet ka shërbyer si gjyqtar i shkallës së parë dhe 15 vjet si gjyqtar në apel. Gjithashtu, mora në konsideratë treguesit mbi performancën e tij si gjyqtar dhe qenien si drejtues gjykate, përkatësisht për 3 vjet në gjykatën e rrethit gjyqësor Durrës dhe për 5 vjet në gjykatën e Apelit Durrës”.
PARAPËLQIMI
Megjithatë ndaj gjykatës së Apelit Durrës ka një parapëlqim të veçantë nga ana e tij si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në relacionin dërguar Kuvendit për dekretin e 22 nëntorit 2013, Nishani harron të përmendë vendimin nr. 301, datë 7 dhjetor 2012, të Këshilli i Lartë i Drejtësisë për përzgjedhjen me short të tetë gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, ku tre i takojnë Apelit të Durrësit, kurse Vlorës dhe Tiranës nga dy dhe një Korçës. Apeli i Durrësit ka në përbërje të Kolegjit Zgjedhor gjyqtarët Petrit Çeno, Kliton Spahiu, Valbon Çekrezi. Ndërkaq, për hirë të transparencës, “Dyrrah”-u po riboton denoncimin në “Stop korrupsionit në drejtësi” së bashku me faksimile. (shih http://ankesa.justice.gov.al).
Denoncimi për korrupsionin e togave të zeza të Shkozetit
Nr. prot.: PR333. Koha: 30/10/2013. EMRI: Olimbi Gjermeni. TITULLI: Largoni gjyqtarët e korruptuar. TEKSTI I DENONCIMIT:
Një nga disa gjyqtarë të korruptuar në qytetin tonë, është Petrit Çeno, kryetari i Gjykatës së Apelit Durrës. Më 12.5.2009 kisha një gjyq me kryetar P. Çeno, i cili mori një vendim arbitrar, në dëmin tim, pa marrë parasysh faktet që kisha paraqitur unë dhe pa e parë fare dosjen time, për arsye se kishte marre para nga pala kundërshtare, Feruze Begteshi, e cila ma pohoi vete. Gjyqtarë të tillë nuk duhet të ekzistojnë fare në sistemin e drejtësisë ,dhe jo më të ngrihen në funksione më të larta, si ajo që është propozuar së fundmi si kandidat për gjyqtar në Gjykatën e Lartë.
/ Thanas Mustaqi agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





